Follow us on:

Ministri Hyseni takoi Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton

Uashington, D.C., 4 shkurt 2010. Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, D.C., ku mori pjesë në ngjarjen tradicionale “Lutjet e Mëngjesit”, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka pasur një takim shumë të përzemërt dhe shumë përmbajtësor me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.

Uashington, D.C., 4 shkurt 2010. Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, D.C., ku mori pjesë në ngjarjen tradicionale “Lutjet e Mëngjesit”, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka pasur një takim shumë të përzemërt dhe shumë përmbajtësor me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton. Përkundër pranisë së madhe të zyrtarëve dhe përfaqësuesve të lartë nga vende të ndryshme që po merrnin pjesë në Lutjet e Mëngjesit, Sekretarja Amerikane e Shtetit ka ndarë një kohë të mirë për takim me Ministrin Hyseni. Takimi ka qenë i mbyllur dhe është zhvilluar “në katër sy” (tete-a-tete).

Në këtë takim, Ministri Hyseni dhe Sekretarja Clinton kanë biseduar gjerësisht për proceset në Kosovë dhe rreth Kosovës, sidomos për njohjet, për procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe për hapat që duhet të merren për të çuar proceset në Kosovë edhe më përpara.

Ministri e ka shfrytëzuar këtë takim për ta njoftuar Sekretaren Clinton me përpjekjet e mëdha që po bëhen për shtetndërtim. Por, gjithashtu, këtë takim e ka shfrytëzuar edhe për të ndarë disa nga brengat e Kosovës që lidhen me bashkëpunimin rajonal, me theks të posaçëm bllokadat që Kosovës po i bëhen në rrafshe të ndryshme, për të cilat Sekretarja e Shtetit kishte njohuri të thella.

Ka qenë konstatim i përbashkët i të dy bashkëbiseduesve, Ministrit Hyseni dhe Sekretares Clinton, se ka pasur të arritura të shumta në shumë plane, dhe se duhet të vazhdohet me angazhime që ky përparim i bërë të çohet edhe më përpara. 

Në këtë rast, Ministri Hyseni e ka ftuar Sekretaren Amerikane të Shtetit që të vizitojë Kosovën, ftesë të cilën Sekretarja Clinton e ka pranuar me kënaqësi. Vizita e Sekretares Hillary Clinton pritet të realizohet gjatë këtij viti.