Follow us on:

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni u prit nga homologu i tij turk, ministri Hulusi Akar

Ankara, tetor 2020 - Në vazhdën e bashkëpunimit bilateral në mes të dy ministrive dhe forcave respektive, Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, me ftesë zyrtare të homologut të tij turk, ishte për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë. Gjatë vizitës së tij, Ministri ishte i shoqëruar edhe nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Ankara, z. Ilir Dugolli dhe Atasheu i Mbrojtjes, Kolonel Bekim Osmani. Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Turqisë, në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, me protokollin më të lartë shtetëror dhe ceremoni të lartë ushtarake, Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, u prit në takim nga homologu i tij dhe nikoqiri, Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar.
Në takim u diskutuan bashkëpunimi bilateral në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, si dhe bashkëpunimi në fushën e industrisë së mbrojtjes. Gjatë këtij takimi, ministri Akar theksoi miqësinë ndërmjet Turqisë dhe Kosovës në përgjithësi dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet dy ministrive dhe forcave në veçanti. Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Anton Quni, shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për rolin dhe kontributin e madh të shtetit, qeverisë dhe Forcave të Armatosura të Turqisë në ndërtimin dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit tonë, vet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Ministri Quni, me delegacionin e tij, zhvilloi gjithashtu takime të rëndësishme edhe me autoritetet udhëheqëse të shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Turqisë si dhe të autoritete të industrisë së mbrojtjesm si dhe vizitoi Varrin Monumental të Ataturkut (Anitkabir).
Në vazhdën e aktiviteteve në kuadër të vizitës zyrtare katër ditore në Republikën e Turqisë, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, po ashtu realizoi një vizitë në Akademinë Ushtarake Turke ku është pritur nga dekani i saj, Prof.Dr. Gultekin Yildiz dhe komandanti i Regjimentit Studentor të Akademisë, gjeneral brigade Gultekin Yarali.

Gjatë takimit, ministrin Quni, nikoqirët e njoftuan me strukturën organizative, sistemin arsimor, misionin, kapacitet akademike, qëllimin dhe detyrat kryesore të akademisë. Gjithashtu, ata e njoftuan edhe me të arriturat e kadetëve të FSK-së që studiojnë aktualisht në këtë akademi. Nga ana e tij, ministri Quni, nikoqirët i përgëzoi për të arriturat e akademisë ushtarake turke duke shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për përkushtimin e tyre edhe në aftësimin sa më cilësor profesional e akademik të kadetëve tanë të cilët studiojnë aktualisht në këtë akademi.