Follow us on:

Njoftim me rëndësi

Ankara, 15 qershor 2020 - Sipas vendimit të autoriteteve përgjegjëse dhe njoftimit nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë, duke filluar nga 11 qershori 2020, Turqia ka hequr kufizimet për hyrje dalje në Turqi në të gjitha pikat kufitare (ajrore, detare dhe tokësore përveç atyre me Iranin), me kusht që shtetasit e huaj t’u përmbahen rregullave të përcaktuara. Sipas këtij njoftimi të MPJ të Turqisë çdo person, shtetas turk apo i huaj, në momentin e hyrjes në Turqi do t'i nënshtrohet kontrollit shëndetësor. Nëse me atë rast paraqiten simptome, atëherë do të kryhet testi PCR/COVID-19 pa pagesë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë gjithashtu njofton se shtetasit e huaj që ndodhen në Turqi, dhe të cilët që për shkak të situatës së krijuar si pasojë e COVID-19, mbylljes së kufijve dhe anulimit të fluturimeve ndërkombëtare, nuk do të penalizohen apo gjobiten. Pra, personat të cilëve nga data e mbylljes së kufijve deri në normalizimin e situatës mund u ka skaduar viza apo leje-qëndrimi (tur. İkamet), nuk do të kenë pasoja për shkak të kalimit të afatit të qëndrimit.

Ministria e Jashtme turke bën të ditur gjithashtu se shtetasve të huaj të cilëve u ka përfunduar afati i përkohshëm i qëndrimit pa vizë apo afati i leje-qëndrimit, duhet të kthehen në vendet e tyre brenda një muaji që nga data e normalizimit të situatës gjegjësisht hapjes së fluturimeve.

Ndërkohë pritet që nga 1 korriku 2020, linjat ajrore në mes Kosovës dhe Turqisë të fillojnë të qarkullojnë me orar të rregullt.