Follow us on:

Ambasadori Avni Spahiu vizitoi qytetin Ajdën ku u pritë nga personalitete të larta shtetërore

Aydën, 19 maj 2016 - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Ankara, Avni Spahiu, i shoqëruar edhe nga Rrahim Morina, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Stamboll dhe nga Muharrem Toprak, Konsull i Nderit i Kosovës për Izmir, vizitoi qytetin Ajdën, në Turqinë jugperëndimore, me ftesën e Shoqatës së Kosovarëve në këtë rajon.

Ambasadori Spahiu u takua me udhëheqës vendor, si me prefektin e Ajdënit, Erol Ajildiz, kryetarin e Komunës Efeler,  Mesut Ozakan, kryetarin e Komunës Koçarllë, Mutlu Öztürk si dhe me personalitete të tjera, me të cilët bisedoi për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, por edhe me pozitën e komunitetit shqiptar, që jetojnë në këtë rreth. Ambasadori Spahiu vizitoi fshatrat me popullsi shqiptare, Gylybahçe (Soke), fshatin Jenikoy (Koçarllë) dhe fshatin Sandëkllë ku jetojnë mijëra shqiptarë, kryesisht nga Kosova dhe viset shqiptare. Në mes të fshatit Jenikoy u organizua një takim me mijëra fshatarë, ku shoqëruar me muzikë dhe ushqim tradicional shqiptar, u bisedua për pozitën e shqiptarëve të këtushëm, lidhjet me vendlindjen dhe kontributin e tyre për shoqërinë e këtushme, por edhe për fillimet e lidhjeve të tyre të përtërira me Kosovën dhe format e bashkëpunimit.

Më vonë, në organizimin e Natës së Solidaritetit, Bashkësisë dhe Vëllazërisë organizuar nga Shoqata e Kulturës dhe Solidaritetit të Kosovarëve të Ajdënit, ku morën pjesë edhe Valiu i Ajdënit, z. Erol Ayyıldız dhe kryetar komunash e personalitete politike e biznesore të qytetit dhe të rajonit, ambasadorin Spahiu e përshëndeti dhe i dëshiroi mirëseardhje kryetari i shoqatës së kosovarëve Niyazi Aykut si dhe Sali Kalkan veprimtar dhe biznesmen i njohur i kësaj ane. Ambasadori Spahiu përshëndeti të pranishmit dhe komunitetin shqiptar duke i përgëzuar ata për ruajtjen e gjuhës dhe traditës së tyre krahas integrimit në shoqërinë turke. Ai i ftoi ata të ruajnë lidhjet me vendin e tyre të origjinës, Kosovën. Ambasadori Spahiu vizitoi edhe komunën e Pamukkales dhe qytetin antik të Afrodisias, i shoqëruar nga autoritetet lokale turke.

Nga vizita e Ambasadorit Spahiu në Aydın mundeni me konsultu edhe këto vegëza:
http://www.haberler.com/kosova-buyukelcisi-spahiu-aydin-da-8450087-haberi/
http://www.hurriyet.com.tr/yerel-haberler/aydin-haberleri/buyukelci-yi-agirladilar_282003/
http://www.sondakika.com/haber/haber-kosova-buyukelcisi-spahiu-aydin-da-8450087/