Follow us on:

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mori pjesë në shënimin e përvjetorit të 54 të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë

Ankara, 25 prill 2016 - Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i prirë nga kryetarja, Arta Rama-Hajrizi, dhe anëtarët Bekim Sejdiu dhe Altay Suroj kanë qëndruar për vizitë zyrtare në Ankara.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Rama-Hajrizi dhe delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Turqi Avni Spahiu kanë marrë pjesë në hapjen e simpoziumit ndërkombëtar me temën, “Zbatimi i aktgjykimeve përkitazi me ankesat kushtetuese dhe efekti i tyre”, i cili është mbajtur në Ankara, më 25 dhe 26 prill, me rastin e përvjetorit të 54 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë. Gjatë qëndrimit në Ankara, kryetarja Rama-Hajrizi është takuar edhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, Zühtü Arslan, me të cilin kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në emër të institucioneve që ata udhëheqin. Memorandumi i bashkëpunimit përfshin një sërë aktivitetesh të përbashkëta në lëmin e hulumtimeve ligjore, të trajnimeve profesionale dhe të shkëmbimit të ndërsjellë të përvojave ndërmjet dy gjykatave kushtetuese.