Follow us on:

Pasqyrë e shkurtër e marrëdhënieve dypalëshe Kosovë-Turqi

Pas pavarësimit të Republikës së Kosovës, marrëdhëniet e saj me Republikën e Turqisë kanë shënuar një zhvillim të konsiderueshëm. Këto marrëdhënie kanë qenë gjithëpërfshirëse, duke u shtrirë në dimensione politike, ekonomike, ushtarake, shëndetësore, arsimore, kulturore etj.

Marrëdhëniet politike


-  Marrëdhëniet politike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë ndikohen nga faktorë të shumtë, të natyrës gjeopolitike, ekonomike dhe socio-historike.
-   Një faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet Kosovë-Turqi është edhe  prania në Turqi e një bashkësie të madhe shtetasish turq me prejardhje nga Kosova, si dhe prania në Kosovë e bashkësisë etnike turke.
-   Republika e Turqisë ka marrë pjesë aktivisht në ndërhyrjen e NATO's  dhe çlirimin e Kosovës, në vitin 1999, si dhe në angazhimin ndërkombëtar në ndërtimin e Kosovës së pas-Luftës.
-   Republika e Turqisë ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, me 18 shkurt 2008, duke u renditur ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, Republika e Turqisë ka ofruar përkrahje për Republikën e Kosovës në platforma ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe.
-   Pas njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve, marrëdhëniet politike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë kanë hyrë në një epokë të re dhe kane përjetuar një avancim të dukshëm.
-   Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Ankara, ka pasur një numër të madh vizitash zyrtare të nivelit të lartë, nga Kosova në Turqi. Po ashtu, vetëm gjatë viteve 2008-2016, janë nënshkruar dyzet e katër (44) marrëveshje dhe dokumente të tjera bashkëpunimi në mes të dy vendeve (shih më poshtë).
-   Republika e Kosovës dhe Republika e Turqisë ndajnë vizionin e njëjtë për  stabilitet demokratik, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrime Euro-Atlantike të rajonit tonë.


Marrëdhëniet ekonomike


Kosova aktualisht është një partner i rëndësishëm tregtar për Turqi midis vendeve të Evropës Lindore. Për të plotësuar kuadrin ligjor të marrëdhënieve dypalëshe tregtare dhe ekonomike, Turqia dhe Kosova kanë nënshkruar Marrëveshja për Tregti te Lirë (2013), Marrëveshje për eliminimin e tatimeve të dyfishta (2010), Marrëveshjen e Bashkëpunimit Ekonomik (2009) dhe Marrëveshjen bilaterale për Promovimin dhe Mbrojtjen e Investimeve (2006).

Deri me tani, llogaritet se ka 11 kompani pak më të mëdha turke që punojnë në Kosovë. Ndërkohë që numri i përgjithshëm i kompanive turke që në njëfarë forme punojnë (bashkëpunojnë) me Kosovën llogaritet të jetë rreth 300.

Kontaktet dhe bashkëpunimi në mes të ministrive dhe dikastereve përkatëse  ekonomike të të dy vendeve  kanë qenë shumë intensive. Po ashtu, ka pasur disa vizita në Kosovë të delegacioneve të mëdha të afaristëve turq, si dhe janë organizuar aktivitete të ndryshme, që kanë pasur për synim zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve.

Deri me tani, kompani turke, së bashku me partnerë ndërkombëtar, kanë fituar disa nga tenderët me të mëdhenjtë në Kosovë, siç janë ndërtimi i autostradës Morinë-Merdar (Konsorciumi “Bechtel-Enka”), marrja me koncesion i Aeroportit të Prishtinës (Konsorciumi Limak-“Aeroport de Lion”). Calik Holding (BTK dhe KEDS), Newco Ballkan, Banka Ekonomike Turke (TEB), Ish Bank (İş Bankası) e të tjera janë duke funksionuar me sukses në vendin tonë.

Për biznesin turk, Kosova është tërheqëse për investime, jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike dhe lidhjeve të mira të komunikacionit, por edhe për shkak të pozitës qendrore në Ballkan dhe, sidomos, për shkak se mund të shërbejë si bazë për t'u futur në tregun e madh Evropian.


Republika e Kosovës ka inkurajuar vazhdimisht investitorët turq për të investuar në Kosovë. Një theks i veçantë është vënë në kalimin nga faza e tregtisë në atë të investimeve të drejtpërdrejta, sidomos në fushën e prodhimit.

Bashkëpunimi në fushën e arsimit

 
Në fushën e bashkëpunimit arsimor janë nënshkruar Protokoll i Bashkëpunimit në fushën e arsimit (2010) dhe Protokolli i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës dhe Këshillin i Kërkimit Shkencor dhe Teknologjik të Republikës së Turqisë (TÜBITAK) (2014).

Sipas të dhënave dhe llogaritjeve të Ambasadës së Kosovës, në Turqi studiojnë diku rreth 1600 studentë nga Kosova. Shumica dërrmuese prej tyre marrin bursë nga Qeveria e Turqisë apo afaristët turk që janë me prejardhje nga Kosova.

Universiteti i Prishtinës ka nënshkruar një numër të madh marrëveshjesh me universitete të ndryshme në Turqi.

Po ashtu, Qeveria e Turqisë ka ndihmuar në projektin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e Universitetit të Prizrenit.


Bashkëpunimi në fusha të tjera


SHËNDETËSIA: Çdo vit një numër i madh pacientësh nga Kosova trajtohen në spitalet turke. Një numri të caktuar, shpenzimet e shërimit ua mbulon Ministria e Shëndetësisë së Kosovës. Në shtator të vitit 2009, është nënshkruar një marrëveshje në mes të dy ministrive të shëndetësisë, e cila, ndër të tjera, parashikon trajtimin falas në spitalet turke të  100 pacientëve nga Kosova, për çdo vit.

MBROJTJA: Në dhjetor 2009 është nënshkruar një marrëveshje në mes të FSK-së dhe Forcave te Armatosura të Republikës së Turqisë, e cila parasheh bashkëpunim te shumanshëm, duke përfshirë edhe stërvitjen dhe shkollimin e personelit të FSK-së në shkollat ushtarake të Turqisë.

Ekzistojnë kontakte dhe bashkëpunim edhe në fusha të tjera, si: kultura, sporti, arti, arkivat, etj.


Marrëveshjet dhe dokumentet tjera të bashkëpunimit ndërshtetëror


Lista e marrëveshjeve, protokolleve dhe memorandumeve të mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë:


Ndërmjet autoriteteve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë janë nënshkruar dyzet e katër (44) marrëveshje, protokolle dhe memorandume të mirëkuptimit:

Periudha e IPVQ-së:

1.    Marrëveshja në fushën e kulturës ndërmjet Administratës së Përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në emër të Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës) dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më datën 26 gusht 2004 në Prishtinë.

2.    Marrëveshja lidhur me projektin e Tyrbes së Sulltan Muratit. Është nënshkruar më datën 2 nëntor 2004 në Ankara.

3.    Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e mbikëqyrjes së kompanive të sigurimeve ndërmjet Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës dhe Nënsekretariatit të Thesarit të Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më datën 22 mars 2007 në Ankara.


Periudha pas shpalljes së pavarësisë të Republikës së Kosovës:

Viti 2008:

4.    Marrëveshja e Mirëkuptimit në fushën e mbikëqyrjes së bankave ndërmjet Autoritetit Qendror Bankar të Republikës së Kosovës dhe Institucionit Rregullues dhe Mbikëqyrës të Bankave të Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më datën 12 maj 2008 në Prishtinë.
5.    Marrëveshja e Bashkëpunimit Shkencor dhe Protokolli Zbatuese ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Republikës së Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Republikës së Turqisë (TÜBA). Është nënshkruar më datën 10 korrik 2008. (Nuk është cekur vendi).

Viti 2009:
6.    Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Madh Kombëtar të Republikës së Turqisë.

7.    Dokumenti Strategjik të Bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

8.    Marrëveshja për Heqjen e Ndërsjellë të vizave ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

9.    Marrëveshja për Bashkëpunimin Ekonomik ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Republikës së Turqisë.

10.    Marrëveshja për Bashkëpunim në Fushën e Shëndetësisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

11.    Marrëveshja Bashkëpunimi në Fushat Ushtarake të Trajnimeve, Teknikës dhe Shkencës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Viti 2010:
12.    Marrëveshja  për Bashkëpunim dhe Ndihmë të Ndërsjellë në fushën e doganave ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

13.    Protokolli Bashkëpunim për Zhvillim dhe për statusin e programit të zyrës koordinuese të Agjencisë për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar të Turqisë (TİKA) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

14.    Protokolli i bashkëpunimit në fushën e trajnimeve ndërmjet Departamentit për Trajnimin e Policëve të Kosovës dhe Kryesisë së Akademisë Policore të Turqisë. Është nënshkruar më datën 22 Shkurt 2010 në Ankara.

15.    Marrëveshja për donacion në fushën e shëndetësisë ndërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Ankara dhe Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Turqisë (për vaksinat kundër gripit të shpezëve).

16.    Marrëveshja për Bashkëpunim në fushën e Mjedisit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

17.    Marrëveshja për Transportin Ndërkombëtar të Mallrave dhe Pasagjerëve në rrugë tokësore ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

18.    Marrëveshja  e Mirëkuptimit në fushën e bujqësisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më datën 20 maj 2010 në Ankara.

19.    Protokoll i Bashkëpunimit në fushën e arsimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit Kombëtar të Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më datën 20 maj 2010 në Ankara.

20.    Marrëveshja e Mirëkuptimit për rritjen e kapacitetit bujqësor ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më datën 19 gusht 2010 në Prishtinë.

21.    Protokoll i Mirëkuptimit lidhur me formimin e Universitetit të Prizrenit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më datën 20 gusht 2010 në Prishtinë.

Viti 2011:
22.    Marrëveshja për bashkëpunim ushtarak për trajnime, teknikë dhe shkencë ndërmjet Kryesisë (Komandës) së Forcave të Sigurisë të Republikës së Kosovës dhe Kryesisë së Shtabit të Përgjithshëm të Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më datën 25 Shkurt 2011 në Prishtinë.

23.    Marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më datën 31 maj 2011 në Prishtinë.

24.    Marrëveshje për transferimin e personave të dënuar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më datën 31 maj 2011 në Prishtinë.

25.    Marrëveshje mbi ekstradim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më datën 31 maj 2011 në Prishtinë.

26.    Marrëveshja për Bashkëpunim në Industrinë e Mbrojtjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më datën 27 tetor 2011 në Ankara.

27.    Marrëveshja për Shërbime Ajrore ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më datën 13 dhjetor 2011 në Ankara.

Viti 2012:
28.    Marrëveshja për themelimin për themelimin, funksionimin dhe aktivitetet e qendrave kulturore ndërmjet Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ambasadës të Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më 13 janar 2012 në Prishtinë. Pala turke ka përfunduar të gjitha procedurat të brendshme e ratifikimit me 14 mars 2015.

29.    Marrëveshja për Vendosjen e Lidhjeve Miqësore në mes të Komunës së Klinës (Republika e Kosovës) dhe Komunës së Adapazarit (Republika e Turqisë). Nënshkruar në mars 2012.

30.    Marrëveshja për Promovimin Reciprok dhe Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

31.    Marrëveshje për bashkëpunim në Shkëmbimin e Informatave për Parandalimin e Pastrimit të Parave ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave, Këshilli për hulumtimin e krimeve financiare (MASAK) të Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më 30 korrik 2012 në Ankara dhe 10 gusht 2012 në Prishtinë (në pyetje ishte përfundimi i shkëmbimit të notave).

32.    Marrëveshja mbi Shmangien e tatimit të dyfishta dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

Viti 2013:
33.    Marrëveshja për Tregti te Lirë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më datën 27 shtator 2013 ne Ankara. Pala turke ka përfunduar të gjitha procedurat të brendshme e ratifikimit me 04 prill 2015.

34.    Memorandumi i Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit ndërmjet Akademisë Diplomatike të Republikës së Kosovës dhe Akademisë Diplomatike të Republikës së Turqisë. Është nënshkruar më 3 gusht 2013 në Prishtinë.

Viti 2014:
35.    Protokolli për trajnim dhe bashkëpunim në fushën e shëndetësisë ushtarake ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Nënshkruar më 29 prill 2014.

36.    Marrëveshje për Profesionin Dobiprurës të Vartësve  të Anëtarëve të Misioneve Diplomatike dhe Posteve Konsullore ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Nënshkruar më 2 maj 2014 në Prishtinë.

37.    Marrëveshja e Mirëkuptimit për Bashkëpunim ne fushën e Teknologjisë Informative (IT) ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Nënshkruar më 2 maj 2014 në Prishtinë.

38.    Memorandum të Mirëkuptimit për lëmine e emergjencave ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Nënshkruar më 25 qershor 2014 në Prishtinë.

39.    Protokolli i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës dhe Këshillin i Kërkimit Shkencor dhe Teknologjik të Republikës së Turqisë (TÜBITAK). Nënshkruar më 24 tetor 2014 në Ankara.

40.    Protokolli i Bashkëpunimit në Fushën e Arkivës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Nënshkruar më 20 nëntor 2014 në Stamboll.

Viti 2015:
41.    Protokolli mbi Shkëmbimin e Personelit Ushtarako-Civilë për qëllime Sociale dhe Kulturore ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Nënshkruar në janar 2015 në Ankara.

42.    Marrëveshje mbi riatdhesimin e personave që qëndrojnë pa autorizim. Nënshkruar më 15 dhjetor 2015 në Prishtinë.

Po ashtu, dy dokumente nënshkruhen, në bazë të vullnetit të palës së Kosovës dhe Turqisë, për çdo vit:

43.    Marrëveshja bashkëpunimi ushtarako financiar ndërmjet Qeverisë së Republikë Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

44.    Protokolli për zbatimin e asistencës me mjete (cash) ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.