Follow us on:
Ilir Dugolli Ambasador i Republikës së Kosovës në Turqi

Në maj 2018, Ilir Dugolli është propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme për Ambasador të Republikës së Kosovës në Turqi, ndërsa më 9 gusht 2019 është dekretuar nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Më 28 nëntor 2019, ambasadori Dugolli ka dorëzuar letrat kredenciale Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan.

Ambasadori Dugolli është pjesë e shërbimit diplomatik të Kosovës që nga viti 2008, kur pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, u emëruan përfaqësuesit e parë diplomatik me detyrë hapjen e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës. Nga fundi i vitit 2008 deri në vitin 2013, Ambasadori Dugolli ishte në krye të Ambasadës së Kosovës në Bruksel, me përgjegjësi për Belgjikën, BE-në dhe NATO-n (krahas akreditimit dytësor në Luksemburg).

Nga fundi i vitit 2013 deri në vitin 2016, shërbeu si Ambasador në Suedi, dhe si ambasador jo-rezident në Norvegji, Finlandë, Estoni, Lituani, Letoni dhe Islandë. Nga fillimi i vitit 2017 deri në fund të vitit 2019, ishte Drejtor për Politika të Sigurisë dhe NATO.

Ndërmjet viteve 2002 dhe 2004, z. Dugolli shërbeu si Këshilltar i Lartë dhe shef i kabinetit të Kryeministrit Bajram Rexhepi, ndërsa gjatë negociatave të vitit 2007-2008 për statusin e Kosovës ishte pjesë e grupit për çështje ligjore në kuadër të “Ekipit të Unitetit.”

Para se të bëhej pjesë e shërbimit diplomatik, gjegjësisht ndërmjet 2001 - 2008, ishte i angazhuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Ambasadori Dugolli ka qenë i angazhuar në një numër të nismave të shoqërisë civile, përfshirë si përfaqësues për Kosovë i Projektit për Marrëdhënie Etnike (PER), bashkëthemelues i KIPRED, bashkëthemelues i Demokracisë për Zhvillim (D4D).

Ka studiuar drejtësinë në Universitetin e Prishtinë dhe Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest dhe ka qenë bashkëpunëtor në Universitetin Yale, atë Karl-Franzens etj.