Follow us on:

Ministri Enver Hoxhaj takoi Ministrin slloven, Samuel Žbogar

Lubjanë, 23 janar 2012 – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka udhëtuar në Slloveni, ku është pritur në një takim pune nga Ministri i Punëve të Jashtme i Sllovenisë, Samuel Žbogar.

Në këtë takim është diskutuar për tri tema që kanë të bëjnë me marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, për proceset politike dhe shtetndërtuese të Republikës së Kosovës si dhe për agjendën evropiane të Kosovës.

Me këtë rast, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka informuar homologun e tij slloven për përgatitjet që është duke bërë Qeveria e Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka kërkuar përkrahjen e mëtutjeshme të Sllovenisë për nënshkrimin e marrëdhënieve kontraktuale mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes tregtare me këtë institucion.

Ministri Hoxhaj është siguruar nga Ministri Žbogar se Sllovenia edhe në të ardhmen do të ndihmojë Republikën e Kosovës me ekspertizë, në mënyrë që rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian të jetë më e shkurtër.

Më 21 dhjetor 2011, Bashkimi Evropian ka emëruar Ministrin aktual të Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Žbogar, në krye të Zyrës së BE-së në Kosovë.