Follow us on:

Ambasadori Kastrati falënderon Slloveninë për pajisjet e dhuruara për Kosovën për përballje me COVID-19

Lubjanë, 7 shtator 2020 - Ambasadori Avni Kastrati dhe Ministrja Këshilltare, Mirjeta Behluli, morën pjesë të hënën në nisjen e pajisjeve mbrojtëse të dhuruara nga Republika e Sllovenisë për Republikën e Kosovës, për të kontribuuar në përballjen me pandeminë e Covid-19. Të pranishëm në këtë event ishin Natasha Adleshiç Barba nga Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë dhe Tomazh Mlinariç nga Administrata për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Ambasadori Kastrati, në emër të Qeverisë së Kosovës shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e pakursyer të Sllovenisë në vazhdimësi, si dhe vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore ndërmjet dy vendeve.

“Qeveria e Kosovës dhe populli i Kosovës janë shumë falënderues ndaj Qeverisë sllovene dhe popullit slloven për qëndrimin gjithmonë afër, kurdo që është shfaqur nevoja”, tha Ambasadori Kastrati, me këtë rast.

I pranishëm ishte edhe Ambasadori i Malit të Zi, Vujica Lazoviç, pasi që me këtë rast u nisën edhe pajisjet mbrojtëse të dhuruara nga shteti slloven dedikuar Malit të Zi.