Follow us on:

U zhvilluan Ditët e Kulturës Shqiptare në Slloveni

Koper, 23 nëntor 2019 - Ditët e Kulturës Shqiptare në Slloveni, organizuar nga Shoqata Kulturore Shqiptare “Iliria” në Kopër me mbështetjen e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike si dhe të Ambasadës së Kosovës në Slloveni, kanë sjellë para bashkatdhetarëve një simpozium shkencor, koncert të muzikës klasike si dhe një koncert të muzikës popullore.

Ambasadori i Kosovës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga bashkëshortja Afërdita mori pjesë të shtunën në simpoziumin e pestë shkencor, ku u promovua numri i shtatë i revistës “Gjuha e vjetër shqipe në Istër”.

Pjesë e panelit të hapur nga kryetari Shoqatës “Iliria”, Heset Ahmeti, ishin edhe ambasadori i Shqipërisë, Pëllumb Qazimi, zëvendësambasadori i Gjermanisë, Bernhart Hauer, albanologu Paolo Muner, Ndue Lazri dhe Gëzim Muçolli si dhe studiuesi slloven Peter Shtoka, të cilët referuan për gjuhën shqipe dhe toponimet shqiptare në rajonin e Istrës, duke veçuar rëndësinë e botimit për herë të parë të dorëshkrimit të albanologut slloven Jernej Kopitar, të vitit 1829.

Të pranishëm në këtë eveniment që u zhvillua në Qendrën Historike të Koperit ishin edhe diplomatët e Ambasadës së Kosovës, Mirjeta Behluli e Petrit Hajdari dhe bashkatdhetarë të shumtë me banim në Slloveni dhe më gjerë.

Pas simpoziumit, në Teatrin e Koperit, në prani të personaliteteve të shumta duke përfshirë kryetarin e Komunës së Koperit dhe shumë bashkatdhetarëve u dha koncerti i tenorit Kastriot Tusha i përcjellë nga pianistja e njohur Lule Elezi.

Në këtë ngjare, të pranishmit i përshëndeti Ambasadori Avni Kastrati, i cili vlerësoi lartë aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Ditëve të Kulturës Shqiptare në Slloveni. Ai vuri theksin në rëndësinë e publikimit të dokumenteve të rëndësishme historike që konfirmojnë praninë e shqiptarëve dhe përdorimin e gjuhës shqipe në rajonin e Istrës qindra vite më parë.

Të pranishmëve me nga një fjalë përshëndetëse iu drejtuan edhe kryetari i Komunës së Koperit, Alesh Brzhan, kryetari i Shoqatës “Iliria”, Heset Ahmeti, ambasadori i Shqipërisë, Pëllumb Qazimi, zëvendësambasadori i Gjermanisë, Bernhart Hauer dhe personalitete të tjera.

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike e Kosovës i ka akorduar Shoqatës “Iliria” një Mirënjohje për kontributin shumëvjeçar në promovimin dhe kultivimin e kulturës shqiptare. Kjo shoqatë u dekorua edhe me titullin “Naim Frashëri”, nga Presidenti i Shqipërisë.