Follow us on:

Pjesëmarrësit e Forumit të Bizneseve vizitojnë Ambasadën e Kosovës në Slloveni

Lubjanë, 22 maj 2019 - Ambasada e Kosovës në Slloveni është vizituar sot nga pjesëmarrësit dhe organizatorët e Forumit të Bizneseve që është mbajtur në Lubjanë.

Në takim, ishin prezent përfaqësues të disa bizneseve si dhe të Klubit Slloven të Bizneseve që vepron në Kosovë.

Ambasadori Avni Kastrati, duke iu uruar mirëseardhje, shprehu angazhimin e plotë të Ambasadës për të përkrahur bizneset kosovare si dhe për të rritur shkëmbimet ekomomike ndërmjet bizneseve kosovare dhe atyre sllovene.

Në këtë kontekst, Ambasadori Kastrati shprehu gatishmërinë e Ambasadës që të angazhohet me përkushtim të plotë për çdo kërkesë konkrete të bizneseve kosovare në funksion të rritjes së shkëmbimeve ekonomike me Slloveninë.

Përfaqësuesit e bizneseve nga Kosova kanë folur për punën e tyre, për aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Forumit, si dhe për sfidat më të cilat ballafaqohen, duke filluar që nga çështja e pajisjes me viza.

Në takim ishin të pranishëm edhe Mirjeta Behluli, Ministre Këshilltare në Ambasadë, Blerim Bajramaj nga Departamenti për Diplomaci Publike në MPJ të Kosovës si dhe diplomatët Petrit Hajdari, Drilon Zogaj dhe Ilir Gashi.