Follow us on:

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Senegal dorëzoi kopjen e kredencialeve tek ministri i Jashtëm senegalez

Dakar, 5 maj, 2017 – Ambasadori i Republikës së Kosovës në Senegal, Ramadan Gashi, i dorëzoi kopjen e letrave kredenciale ministrit të Punëve të Jashtme, Mankeur Ndiaye, si ambasador i parë i Republikës së Kosovës në kontinentin afrikan.

Ambasadori Gashi i përcolli përshëndetjet e ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, si dhe ia dorëzoi kopjen e kredencialeve ministrit të Jashtëm senegalez, përpara se origjinalet të dorëzohen te presidenti, si dhe e falënderoi ministrin për njohjen e Republikës së Kosovës nga shteti senegalez, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Ambasadori e njoftoi ministrin rreth historikut të shkurtër të Republikës së Kosovës, “Populli i Kosovës ka qenë i okupuar sikurse populli senegalez, porse e veçanta është se ne jemi në Evropë dhe ju në Afrikë, ne jemi pavarësuar thuajse gjysmë shekulli pas jush”, ka thënë ai.

Ambasadori njoftoi ministrin për të kaluarën historike, luftën e fundit dhe pasojat e saj për vendin. Po ashtu, ai foli edhe për raportet e Kosovës dhe Serbisë, si dhe pengesat që shteti serb po i bënë Kosovës në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, ambasadori i kërkoi ministrit mbështetje në arenën ndërkombëtare, ku si çështje u diskutua edhe mbështetja e Senegalit rreth anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, si dhe INTERPOL, si dhe ndihmën per sigurimin e njohjeve tjera nga kontinenti afrikan, ku ambasadori mori mbështetje të madhe nga ministri.

Në takim, ambasadori Gashi shoqërohej nga sekretari i dytë në Ambasadë, Sami Halili, kurse nga pala senegaleze ishin të pranishëm drejtori për Evropë, Baubacar Soë, si dhe shefi i protokollit të shtetit, Chérif Oumar Diangne.

Ndërkohë, një ditë pas arritjes së ambasadorit Gashi në shtetin e Senegalit, ambasadori takoi shefin e Protokollit të shtetit, Chérif Oumar Diangne, i cili e informoi për hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren rreth çështjeve protokollare.