Follow us on:

Çollaku në konferencën e nivelit të lartë në Stokholm thotë se Kosova është e gatshme për procesin e liberalizimit të vizave

Stokholm, 18 dhjetor 2015 - Përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave dhe hyrja në fuqi e zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, ishin çështjet mbi të cilat ministri për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, pati një prezantim sot para diplomatëve evropian dhe homologëve të tij nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, në konferencën e nivelit të lartë në Stokholm - “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE: mision që duhet përmbushur”.

Në këtë konferencë që i dedikohet procesit të zgjerimit të BE-së në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimit rajonal, ministri Çollaku bëri të qartë se Kosova është e gatshme për procesin e liberalizimit të vizave. Për këtë proces, theksoi ministri theksoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara me përpikëri. Kurse Marrëveshjen për Stabilizim Asociim mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e konsideroi hap historik për Kosovën që e qartëson dhe garanton integrimin e saj në BE. Kjo konferencë ishte  bashkë organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Suedisë, Komisioni Evropian dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.