Follow us on:

Zyrtarët e ambasadës vizitojnë haxhilerët kosovarë

Medine, 8 tetor – Zyrtarët e ambasadës së Kosovës në Riad, Fuad Morina – Sekretar i Parë dhe Turkesh Dalifi – Sekretar i Dytë, kanë vizituar haxhilerët kosovarë që po qëndrojnë në Arabinë Saudite për të kryer haxhin.

Zyrtarët e ambasadës takuan zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës përgjegjës për haxhin këtë vit, kryeimamin Sabri Bajgorën, Kasim Gërgurin – referent për çështje financiare pranë BIK-ut, dhe Besim Mehmeti – asistent i shefit të kabinetit të kryetarit të BIK-ut. 

Zyrtarët e ambasadës u interesuan për gjendjen e haxhilerëve dhe shprehën gatishmërinë e Ambasadës në Riad për të mbështetur Bashkësinë Islame të Kosovës, si organizatore e haxhit, dhe haxhilerët gjatë qëndrimit në Arabinë Saudite. 

Zyrtarët e BIK-ut u shprehën të kënaqur me qëndrimin e deritanishëm dhe i informuan zyrtarët e ambasadës se këtë vit janë 800 haxhilerë nga Kosova, 33 udhëheqës të tyre dhe 7 persona si staf mjekësor. 

Me këtë rast, zyrtarët e ambasadës morën pjesë edhe në takimin e organizuar nga Unioni Studentor i Medinës, në të cilin ishin të pranishëm udhëheqësit e haxhilerëve dhe studentë nga Kosova. 

Haxhilerët nga Kosova do të qëndrojnë 22 ditë në Arabinë Saudite.