Follow us on:

Mbrojtja e interesave të shtetasve të Kosovës jashtë

Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Holandës, shtetasit e Kosovës mund të përballen me vështirësi të natyrave të ndryshme. Shtetasit mund të drejtohen tek misioni diplomatik i Republikës së Kosovës në Hagë për paraqitjen e këtyre vështirësive dhe kërkimin e këshillave dhe ndihmës për realizimin e tyre.

Ndihma që mund të ofrohet nga Ambasada në Hagë është si më poshtë:

- Ofrimin e ndihmës shtetasve të Kosovës në shtetin pranues;
- Ofrimin e ndihmës shtetasve të Kosovës në raste të jashtëzakonshme;
- Ofrimin e ndihmës për të burgosurit ose atyre në vështirësi ligjore me organet gjyqësore të shtetit pranues;
- Ofrimin e ndihmës për rikthimin e shtetasve të Kosovës që kanë gjetur vdekjen në shtetin pranues dhe sigurimin e mbrojtjes së pasurisë së tyre.

Në raste të arrestimit, ndalimit apo hapjes së ndonjë hetimi nga autoritetet e shtetit pranues, shtetasit e Kosovës kanë të drejtë të njoftojnë përfaqësinë diplomatike/konsullore në Hagë dhe të kërkojnë ndihmën përkatëse, e cila konsiston në:

- njoftimin e familjarëve për arrestimin;
- adresimin tek avokati mbrojtës apo;
- kërkesën për intervenim tek autoritetet vendase në rast se vërehen shkelje të të drejtave të njeriut.

Ndihma mund të ofrohet vetëm atëherë kur vërtetohet se shtetasi i gjendur në vështirësi nuk posedon njëkohësisht dhe shtetësinë e shtetit pranues. Ofrimi i ndihmës në rrethana të jashtëzakonshme, siç mund të jenë fatkeqësitë natyrore apo ngjarjet me rrezikshmëri të lartë, shtrihet dhe tek anëtarët e familjes së shtetasve.

Në raste të vdekjes së shtetasit e Kosovës në territorin e Mbretërisë së Holandës, Shërbimi Konsullor mund të ofrojë listën e agjencive të shërbimeve funerale dhe çmimoren e përafërt; të regjistrojnë aktin e vdekjes dhe të lëshojë dokumentacionin e nevojshëm për rikthimin e trupit të të ndjerit. Shërbimi konsullor nuk mbulon shpenzimet për riatdhesimin e kufomës.