Follow us on:

Media japoneze vizitojnë atraksionet turistike të Kosovës dhe Shqipërisë

Tokio, 15-20 nëntor 2017 – Me nismë të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Japoni dhe në bashkëpunim me Turkish Airlines dhe Ambasadën e Shqipërisë në Tokio, nga 15 deri më 20 nëntor 2017, Kosovën dhe Shqipërinë e kanë vizituar gazetarë japonezë nga 6 mediume prestiogjioze. Gazetarët ishin të fushës së turizmit nga mediume prestigjioze si televizioni publik NHK, gazeta Mainichi Shimbun, guida turistike Globe Trotter – botimi japonez, si dhe uebfaqe të turizmit. Kjo ishte hera e parë që e vizituan Kosovën, dhe u ndanë të kënaqur me këtë vizitë.

Gazetarët janë njohur më për së afërmi me atraksionet turistike të Kosovës dhe Shqipërisë, me qëllim të rritjes së numrit të turistëve japonezë në këtë pjesë të Europës. Në kuadër të programit, ata kanë pasur mundësi të shohin kulla tradicionale, monumente historike e kulturore, vallëzim e instrumente kombëtare, të shijojnë ushqim e pije vendore, në shumë qytete si në Prishtinë, Mitrovicë, Skenderaj, Pejë Graçanicë, Junik, Gjakovë dhe Prizren si dhe Shkodër, Krujë, Lezhë, Tiranë, Berat e Durrës. Gazetarët gjithashtu kanë pasur mundësi të takojnë dhe intervistojnë zyrtarë, biznese, artistë dhe qytetarë nga të dyja shtetet. 

 

Shumica e japonezëve ose nuk dijnë fare për Kosovën ose e mbajnë mend luftën. Është thelbësore që të bartet imazhi real për Kosovën ashtu siç është sot dhe disponimi kosovar për përparim dhe vlera euroatlantike. Andaj, Ambasada e Kosovës në Japoni ka vendosur turizmin si prioritet për shkak që shihet si mënyrë për të promovuar vendin në përgjithësi si dhe si parakusht për të filluar joshjen e investitorëve. Një vizitë e tillë u bë e mundur të realizohet vetëm pasi që Ambasada në Tokio arriti të bindë Ministrinë e Punëve të Jashtme e Japonisë se Kosova duhet të vlerësohet si vend i sigurte për të udhëtuar, që u arrit në maj të vitit 2017. 

 

Ky aktivitet është përkrahur nga Turkish Airlines përfaqësia në Japoni, Swiss Contact (Projekti i promovimit të punësimit në sektorin privat), Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë - KIESA, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Agjencia Kombëtare e Turizmit e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqata kroato-japoneze në Japoni.

 

Në kuadër të programit dhe me ndihmë nga Shoqata kroato-japoneze dhe KIESA, është mbajtur edhe një ligjëratë me temën “Si të tërheqim turistë nga Japonia dhe Azia”, me ligjëruese eksperten me përvojë 20 vjeçare në fushën e turizmit drejt Ballkanit, Znj. Jelena Yamasaki.