Follow us on:

Ambasadori Malazogu akreditohet ambasador jorezident në Republikën e Palaut

Koror, 22 gusht 2017 – Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tokio Z. Leon Malazogu dorëzoi letrat kredenciale Presidentit të Republikës së Palaut Sh. T. Z. Tommy E. Remengesau, Jr., përmes të cilës është akredituar si ambasadori i parë jorezident i Republikës së Kosovës në Republikën e Palaut.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe deputetë të dy dhomave, liderë tradicionalë, dhe zyrtarë tjerë të lartë. Përveç përcjelljes së përshëndetjes nga Presidenti i Kosovës, Ambasadori Malazogu dhe Presidenti Remengesau biseduan për thellimin e raporteve ndërshtetërore në fusha të ndryshme si dhe shprehën përkrahjen e ndërsjellë në organizata ndërkombëtare. Malazogu falënderoi zyrtarët e Palaut për përkrahjen e deritanishme dhe me Presidentin Remengensau u pajtuan që miqësia në mes të dy vendeve të thellohet më tutje. 

 

Presidenti Remengesau ka udhëhequr Republikën e Palaut suksesshëm që sot është vendi më i zhvilluar në Oqeanin Paqësor dhe ka ndërmarrë disa nisma rajonale dhe ka mobilizuar vendet e paqësorit për mbrojtje të ambientit, të rëndësisë thelbësore për vendet të cilave u kanoset ekzistenca për shkak të rritjes së nivelit të oqeaneve. Me këtë rast, ambasadori Malazogu takoi edhe Ministren e Shtetit të ngarkuar me punët e jashtme, Sh. S. Znj. Faustina Rehuher Marugg ku u bisedua për bashkëpunimin bilateral dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.