Follow us on:

Ambasadori Malazogu mbajti ligjërata në Universitetin e Osakas dhe Universitetin Doshisha në Kjoto

Osaka dhe Kjoto, 26-27 maj 2017 – Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tokio Sh. T. Z. Leon Malazogu ligjëroi për Kosovën në dy universitete prestigjioze në rajonin Kansai. Profesorët dhe ekspertët e pranishëm u përfshinë dhe gjithashtu diskutuan fushat e mundshme të bashkëpunimit me Kosovën.

Më datën 26 maj 2017, në Fakultetin për Politika Publike Ndërkombëtare, pranë Universitetit të Osakas, Ambasadori Malazogu ka folur për kontratën e re shoqërore të Kosovës si shteti me legjislacionin më modern në Ballkanin Perëndimor sa i përket mbrojtjes së minoriteteve dhe trashëgimisë kulturore. Ai e përshkroi  procesin e ndërtimit të paqes, zotimin drejt integrimeve Euro-Atlantike si dhe progresin e Kosovës në një sërë treguesish. Malazogu i ftoi ekspertët pjesëmarrës të bashkëpunojnë më shumë me Kosovën duke i ndihmuar për të promovuar njohjen e shumë llojllojshmërisë së trashëgimisë kulturore nga organizatat ndërkombëtare.

 

Më datën 27 maj 2017, në Universitetin Doshisha Malazogu foli për “rishfaqjen e Ballkanit Perëndimor si një kufi gjeostrategjik”. Ambasadori shpjegoi sfidat që presin Ballkanin në orientimin strategjik drejt integrimit evropian dhe shtjelloi politikën e jashtme stabile të Kosovës dhe rolin konstruktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në të dy diskutimet, Malazogu gjithashtu përmendi raportet e shkëlqyeshme bilaterale me Japoninë.