Follow us on:

Kryeministri Thaçi: Besoj se fati i Kosovës është të jetë një komb i zhvilluar - nuk kam asnjë dyshim në aftësinë tonë për të arritur këtë

Tokio, 14 prill 2014 - Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbajtur në Klubin e Korrespondentëve të jashtëm, në Tokyo

Përfaqësues të nderuar të medias,
 
Jam i nderuar që gjendem këtu para jush sot, një takim i përfaqësuesve të tillë të shquar të medias nga kjo pjesë e botës.
 
Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të i`u treguar historinë e vendit tim dhe popullit tim. Ky është një tregim i paqes që mbizotëron mbi konfliktin, i besimit që mbizotëron mbi frikën. Një histori që ka filluar kohë më parë me luftërat e përgjakshme të Ballkanit, dhe sot është një tregim i shpresës dhe mundësisë në rrugën tonë drejt së ardhmes.
 
Emri im është Hashim Thaçi. Unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës, një vend i vogël në Evropën Juglindore, që ka një vend të veçantë në historinë moderne të botës. Vendi im është një nga vendet më të reja në Evropë, kemi festuar ditëlindjen tonë të gjashtë shkurtin që kaluam. Kështu që, vij nga një prej vendeve më të reja në botë, për të vizituar një nga vendet më të vjetra në botë, dhe për të thelluar miqësinë tonë.
 
Kur them se Kosova ka fituar një vend të veçantë në historinë e botës, i referohem, asaj që disa nga ju mund të mbani mend, rrugës që populli im ka marrë për të arritur paqen, lirinë dhe demokracinë. Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë, një vend që u shpërbë krejtësisht nën sundimin e një regjimi nacionalist me një sërë luftërash të përgjakshme me Serbinë.
 
Isha student në Zvicër, kur filloi shtypja mbi popullin tim, andaj u preokupova me idenë e kthimit në shtëpi dhe përmbysjen e këtij regjimi okupues. I lash studimet e mia dhe u bëra një luftëtar gueril dhe një udhëheqës i burrave dhe grave, që morën armët për të rezistuar.
 
Lufta jonë, përkushtimi për vlerat universale të njeriut dhe thirrja për ndihmë nuk mbeti pa përgjigje. Bota e lirë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore evropiane na ndihmuan në mposhtjen e forcave serbe, që po shkaktonin aq shumë mjerim.
 
Pas kësaj filloi faza e dytë e angazhimit tim politik. Lufta u fitua, njerëzit u kthyen, Kombet e Bashkuara vendosën një protektorat të veçantë për të qeverisur Kosovën, deri në ditën kur ne do të mund të qeverisnim veten dhe do të mund të vendosnim për rrugën që shoqëria jonë do të marrë.
 
Momenti më krenar i jetës sime erdhi në vitin 2008. Pas viteve që kaluan në forcimin e demokracisë tonë dhe zhvillimin e shtetit tonë, Kosova shpalli pavarësinë e saj. Mblodhëm përfaqësues të popullit nga të gjitha komunitetet, dhe më 17 shkurt 2008, ne u bëmë një komb.
 
Isha krenar që im bir, fëmijët tanë nuk do të jetonin më në frikë, kurrë më nuk do të mësoheshin të urrenin, dhe kurrë më nuk do të pyeteshin për gjuhën që flasin apo besimin që ata ndjekin.
 
Një komb i ri përballet me shumë zgjedhje. Zgjedhjet e bëra në vitet e para të jetës së saj do të formësojnë shekujt që pasojnë. Shoqëria jonë është përpjekur për të zgjedhur me mençuri.
 
Jam krenar që kam qenë në ballë të një populli që zgjodhi të drejtat e njeriut, përkushtim ndaj paqes, tolerancës, zhvillimit ekonomik, të cilët iu gëzuan ndërmarrësisë dhe një shoqërie të hapur, si një mënyrë për të lëvizur dhe zhvilluar kombin tonë të ri.
 
Japonia ishte mike e Kosovës gjatë ditëve tona të hershme. Ju keni qenë një nga vendet e para që njohu pavarësinë tonë, dhe ne përgjithmonë do të jemi mirënjohës që ju mbështetët ëndrrën tonë. Ne jemi rritur bashkërisht ndër vitet që kanë pasuar. Kështu që, sot qëndroj para miqve të mi japoneze, për të folur për të ardhmen.
 
Kosova është një vend plot me mundësi. Ne kemi popullatën më të re në kontinent, dhe të frymëzuar nga liria jonë e re, ne jemi njerëz plot optimizëm. Kur të udhëtoni nëpër Kosovë, si shumë turistë japonezë që kanë filluar ta bëjnë këtë tashmë, ju do të shihni një vend në lëvizje.
 
Ka vend-punishte në çdo qytet; kamionë duke marrë produktet nga fabrikat e reja të sapondërtuara, dhe sipërmarrësit duke krijuar bizneset kosovare të së ardhmes. Ne po investojmë në infrastrukturën tonë në partneritet me vendet e huaja. Kemi ndërtuar aeroportin më të madh në Ballkan me investitorë nga Turqia dhe Franca, dhe një autostradë moderne për në bregdetin shqiptar, me amerikanët.
 
Projekti ynë i ardhshëm do të jetë ndërtimi i qendrës më të mirë të skijimit në rajon, në malet tona të Sharrit. Kam dëgjuar gjëra të mrekullueshme lidhur me skijimin në Hokkaido, kështu që nëse më ftoni, unë do t’ju ftoja pas disa vitesh në qendrën tonë të skijimit në Kosovë.
 
Kosova është e hapur për biznes. Ne kemi pasur mesatarisht 5% rritje në pesë vitet e fundit, që na bënë një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë. Pasuria e qytetarëve tanë është dyfishuar që nga pavarësia. Megjithatë ky është vetëm fillimi. Jemi në dijeni se duhet bërë shumë më tepër.
 
Tani që liria dhe pavarësia jonë janë të sigurta, kemi kthyer të gjithë vëmendjen tonë kah rritja ekonomike. Misioni ynë i ri është zhvillimi, ftojmë investitorët e huaj që të vijnë në vendin tonë - sepse klima është e duhur dhe mundësitë janë të mëdha.
 
Japonia ka qenë një udhëheqës i fuqishëm lidhur me investimin në ekonomi të reja në të gjithë botën. Besojmë se Kosova ka të njëjtin potencial. Dëshirojmë të shohim bizneset japoneze të vijnë në Kosovë, dhe të investojnë në sektorë si: energjia e ripërtritshme, ku po ndërtojmë hidrocentrale dhe centrale me erë.
 
Dëshirojmë që njohuria dhe ekspertiza japoneze të transferohet tek udhëheqësit vendorë të biznesit. Gjithashtu, dëshirojmë të shohim më shumë  tregti mes dy vendeve tona.
 
Me zhvillimin e Kosovës jemi bërë një treg më i madh për mallrat japoneze, gjithashtu mundohemi që të eksportojmë më shumë në Japoni. Kosova ka një pasuri të tokës së punueshme, dhe djathërat, frutat dhe alkooli jonë, janë disa nga më të mirat në Evropë.
 
Në fakt kam sjellë me vete rakinë tonë më të famshme. Kjo është një pije me bazë glikanxoje që ne e shijojmë para darke. Fjala raki pothuajse rimon me fjalë Sake (pije japoneze), shpresoj ta shijoni.
 
Për fund, Kosova është një vend i bekuar me burime të bollshme natyrore. Ne kemi burimin e pestë më të madh të thëngjillit në botë. Gjithashtu, kemi rezerva të plumbit, zinkut, ferronikelit, arit, argjendit. Jemi duke investuar në të gjithë këto që i përmenda më lartë. Prodhimi i minierave tonë është në rritje nga viti në vit. Të gjithë këta sektorë janë duke u zhvilluar me partneritetit mes kompanive kosovare dhe atyre të huaja.
 
Kam një vizion të qartë për Kosovën. Dua të ndërtoj një komb të zhvilluar, me një ekonomi të fortë që ofron punë dhe standard më të larta jetese për popullin tim. Dua që të realizojmë potencialin tonë.
 
Gjithmonë kam besuar  në të ardhmen e vendit tim. Së pari kam besuar se mund të jetë i lirë, i lirë nga dhuna e kontrollit serb. Këtë e kemi arritur. Pastaj, kam besuar se mund të jemi të pavarur, shtet sovran në skenën botërore. Edhe këtë e kemi arritur.
 
Tani besoj se fati i Kosovës është të jetë një komb i zhvilluar. Nuk kam asnjë dyshim në aftësinë tonë për të arritur këtë.
 
Kjo është arsyeja pse unë jam sot këtu në mesin tuaj dhe pata një takim me Kryeministrin tuaj. Desha të ndajë historinë tonë me ju, dhe më e rëndësishmja edhe besimin në atë që ne do të arrijmë.
 
Kosova është e hapur për biznes. Kërkojmë partneritetin tuaj.
 
ARIGATO GOZAIMASU (FALEMINDERIT SHUMË)