Follow us on:

Zëvendësministrja Teuta Sahatqija i fton japonezët të investojnë në Kosovë

Prishtinë/Tokio, 27 tetor 2020 – Me përkrahje të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Japoni dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Asociacioni i miqësisë kosovare-japoneze ka organizuar diskutimin virtual të titulluar “Miqësia ndërmjet Kosovës dhe Japonisë”. Me këtë rast, në emër të MPJD-së, Zëvendësministrja Teuta Sahatqija, si bashkë-nikoqire e kësaj ngjarje, i ka përshëndetur të pranishmit dhe ka falënderuar Japoninë për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve, sidomos së fundmi në dhënien e donacioneve në përkrahje të menaxhimit të pandemisë COVID-19. Me këtë rast Zëvendësministrja Sahatqija i ka ftuar investitorët japonezë ta konsiderojnë Kosovën si një destinacion potencial investimi.

Si folës kryesor, Presidenti Thaçi iu ka drejtuar të pranishmëve me një mesazh rasti ku ndër të tjera ka veçuar Japoninë si partner strategjik të Kosovës në Azinë Lindore. Ai ka thënë se ka ardhur koha që si institucionet ashtu edhe popujt e të dyja vendeve duhet të punojnë më tepër në thellimin tutje të raporteve bilaterale ekonomike.

Nga Tokio është paraqitur Konsulli i përgjithshëm i nderit i Republikës së Kosovës, z. Iijima Isao si dhe Kryesuesi i Ligës së Miqësisë Japoni-Kosovë në Parlamentin e Japonisë z. Shionoya Ryu. Që të dy kanë përmendur hapjen e Ambasadës së Japonisë në Prishtinë dhe kanë uruar popullin e Kosovës për më shumë progres e prosperitet dhe shëndet tani në kohën e pandemisë.

Ish-ambasadorët kosovar në Japoni - z. Sami Ukelli, z. Ahmet Shala dhe z. Leon Malazogu, dhe në anën tjetër ish-ambasadorët japonez në Kosovë - z. Makoto Taketoshi dhe z. Koinuma Kiyoshi, ishin gjithashtu pjesë e këtij diskutimi. Të gjithë ndanë përvojat më të mira të tyre dhe dhanë rekomandime konkrete për të ardhmen e raporteve bilaterale ndërmjet shteteve.

Znj. Luljeta Arifi, Drejtoreshë dhe themeluese e Asociacionit të miqësisë kosovare-japoneze ka theksuar se çmon bashkëpunimin dhe përkrahjen që e ka hasur nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Japoni dhe MPJD në realizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm për afrimin e raporteve ndërmjet dy popujve dhe vendeve. Ndërkaq, ky aktivitet u përshëndet edhe nga z. Korab Mushkolaj – Udhëheqës i Departamentit për Marrëdhënie Dypalëshe në MPJD si dhe nga z. Enis Xhemaili – I ngarkuar i përkohshëm me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tokio.

Ky ishte edicioni i parë i projektit të titulluar “Ta njohim më mirë Japoninë dhe Kosovën përmes ndarjes së përvojave”. Edicioni i dytë do të prek temën e arsimit ndërkaq i treti temën e asistencës dhe ndihmave japoneze për Kosovën.