Follow us on:

Ceremonia e hapjes së ofertave për programin e zhvillimit ekonomik dhe social (ESDP) në Republikën e Kosovës

Tokio, 19 nëntor 2019 - Në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tokio, diplomati Mehmeti mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ofertave për programin e zhvillimit ekonomik dhe social (ESDP) në Republikën e Kosovës. Ky program është për furnizimin me kamionë të mbeturinave për ndërmarrjen rajonale të mbeturinave \"Ekoregjioni\" në Prizren.

Në emër të Ambasadorit Malazogu, diplomati Mehmeti shprehu mirënjohjen për Qeverinë japoneze për këtë projekt me shumë rëndësi, i cili është i dyti i këtij lloji për Kosovën pas projektit të parë të suksesshëm që ishte në komunën e Prizrenit disa vite më parë. Z. Mehmeti u shpreh se ky projekt me vlerë 250 milion jen (mbi 2 milionë euro) ka vlerë të madhe për qytetarët e Kosovës dhe ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës për njerëzit dhe ruajtjen e mjedisit ku ata jetojnë.

 

Me këtë rast, diplomati Mehmet falënderoi tri kompanitë japoneze që kishin aplikuar për këtë projekt dhe inkurajoi që asistenca duhet të përdoret edhe si mënyrë që kompanitë private të investojnë edhe për aktivitete fitim-prurëse në sektorin e biznesit në Kosovë. Ky projekt pritet të përfundojë deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, përkatësisht nëntor 2020, kohë kur komuna e Suharekës, Malishevës, Rahovecit dhe Dragashit do të pranojnë kamionët për grumbullimin e mbeturinave. Z. Mehmeti shprehu gjithashtu mirënjohje për JICA-në për ndihmën e vazhdueshme që jep për Kosovën.