Follow us on:

Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Kosova falënderon Japoninë” dhe fjalimi i Presidentit në Parlamentin e Japonisë

Tokio, 23 tetor 2019 – Ambasada e Republikës së Kosovës në Tokio së bashku me Ligën e Miqësisë Japoni - Kosovë në Parlamentin e Japonisë, me rastin e shënimit të 10 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, në hapësira të Parlamentit të Japonisë, ka organizuar Ceremoninë e ndarjes së çmimeve dhe fjalim nga Presidenti të titulluar “Kosova falënderon Japoninë – Drejt një dekade të re të marrëdhënieve”.

Ceremonia filloi me fjalimin hyrës nga i nderuar z Ryu Shionoya, Kryesues i Ligës së Miqësisë Japoni-Kosovë. Pasi falënderoi Presidentin dhe të gjithë pjesëmarrësit, sidomos deputetët nga të dyja dhomat e Parlamentit bikameral të Japonisë, z Shionoya nënvizoi fushat e bashkëpunimit dhe zotimin për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve.

 

Shkëlqesia e Tij z Hashim Thaçi, President i Republikës së Kosovës u ftua të mbajë fjalimin kryesor. “Nuk thuhet kot se miqtë dihen në kohë të vështira”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se sot “Kosova është një shtet me kulturë politike të konsoliduar, me stabilitet, demokraci të matur dhe popullsi të re”. Presidenti tha se Kosova është partner i bashkësisë ndërkombëtare dhe ka filluar t’i japë botës më shumë sesa që merr “duke i ofruar botës talente dhe shkathtësi në shumë fusha, nga teknologjia e deri tek sporti dhe arti”. Ai gjithashtu nënvizoi se “Kosova ka rritjen më të lartë ekonomike në Europë dhe është një vend atraktiv për investime, me siguri të lartë” dhe kërkoi nga japonezët ta ndihmojnë Kosovën në tërheqjen e më shumë investimeve në të ardhmen.

 

“Dua që sot, duke treguar falënderimin për ju, bashkërisht të shënojmë hyrjen në dekadën e dytë të bashkëpunimit tonë, ku Kosova nuk shihet më si vend që duhet ndihmuar, por si vend me të cilin vendoset partneritet që evoluon drejt një raporti fitim-fitim për të dyja vendet”, u shpreh presidenti Thaçi. Ai përfundoi duke thënë se është thellësisht i bindur se në dekadën e ardhshme Kosova do të thellojë marrëdhëniet e saj me Japoninë në politikë, ekonomi, siguri, kulturë dhe arsim.

 

Me këtë rast, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndarë çmime për personalitete dhe zyrtarë të lartë japonezë të cilët kanë kontribuar në Kosovë dhe për Kosovën. Presidenti Thaçi tha se ndihet i obliguar, por edhe i privilegjuar, për të shprehur mirënjohje për ata që bënë gjërat e duhura në kohën e duhur.

 

Znj Yuriko Koike, aktualisht Guvernatore e Tokios, e cila e ka ndihmuar Kosovën ndërsa ka pasur kapacitete tjera zyrtare, duke përfshirë ndihmën për të siguruar strehim për qindra kosovarë të kthyer pas luftës në shtëpitë e tyre në vjeshtën e 1999-tës, i është dhënë medalja presidenciale “Shën Nëna Terezë”.

 

Medalja “Ambasador nderi i Republikës së Kosovës” i është ndarë z Ryu Shionoya, Kryesues i Ligës së Miqësisë Japoni-Kosovë në Parlamentin e Japonisë, për kontributin e tij në promovimin e Kosovës në Japoni.

 

Konsulli i përgjithshëm i nderit i Republikës së Kosovës në Japoni, në të njëjtën kohë Këshilltar i veçantë i Kryeministrit të Japonisë, z Isao Iijima, i është ndarë çmimi “Ambasador nderi i Republikës së Kosovës” për promovimin dhe afirmimin e interesave të Republikës së Kosovës në Japoni dhe më gjerë. 

 

Ambasadori Yoshifumi Okamura, ish-Përfaqësues i përhershëm i Japonisë në Kombet e Bashkuara, i cili në vitin 1999 ka shërbyer si Këshilltar i Përfaqësuesit Special të KB-ve të Sekretarit të Përgjithshëm përbrenda Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, më së miri i njohur në Kosovë si Ambasadori japonez në KB që promovoi verën dhe “banjat” e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i është ndarë titulli “Dr. Ibrahim Rugova” për kontributin e tij në ndërtimin e paqes dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë. 

 

Ish-Administratorit të UNMIK-ut në Skënderaj, z Ken Inoue, i është ndarë medalja presidenciale “Shën Nëna Terezë” për kontributin e tij në fushën e humanizmit dhe paqes në Kosovë, veçanërisht për zotimin e tij personal, në të njëjtën kohë, për shërimin e vajzës së vogël znj Besjana Musliu, e cila pat pësuar djegie të mëdha në kokë gjatë luftës. Medalja e njëjtë me pretekstin e njëjtë iu është ndarë edhe agjencisë ADRA si dhe Spitalit Adventist në Tokio. 

 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, gjithashtu ka marrë pjesë në ceremoni dhe shkurt ka përshëndetur të pranishmit, duke uruar Japoninë dhe Kosovën për këtë marrëdhënie të mrekullueshme, dhe duke bërë thirrje për prezencë më të madhe japoneze në rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

 

Në ngjarje morën pjesë deputetë të shumtë të Parlamentit të Japonisë, Presidenti Meta i Shqipërisë, figura të shquara nga shoqëria japoneze, miq të Kosovës dhe bashkatdhetarë.

 

Fjalimi përmbyllës u bë nga ShT z Leon Malazogu, Ambasador i Republikës së Kosovës në Japoni. Ambasadori Malazogu falënderoi Qeverinë si dhe deputetët e Parlamentit të Japonisë, për përkrahjen e vazhdueshme të tyre dhe besimin e treguar për shtetin e ri Kosovën. Ai shprehu privilegjin e tij për të qenë i mundur të shprehë vlerësimet e Kosovës për ata që qëndruar me Kosovën përgjatë kohërave më të vështira.