Follow us on:

Zyra e Presidentit: Presidenti Thaçi takon kryeministrin Abe, shprehen të kënaqur me afrimin mes dy vendeve

Tokio, 21 tetor 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur nga Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, në fillim të vizitës zyrtare në Japoni, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Perandorit Naruhito.

Presidenti Thaçi dhe kryeministri Abe në këtë takim kanë konfirmuar marrëdhëniet e mira bilaterale në mes dy vendeve.


Presidenti Thaçi i ka shprehur ngushëllime kryeministrit Abe edhe për viktimat e tajfunit të fundit.


Ai është shprehur i kënaqur me avancimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.


“Hapja e Ambasadës së Japonisë në Prishtinë në fillim të vitit të ardhshëm dhe samiti i suksesshëm i bizneseve nga Kosova, Japonia e Austria në Vjenë, në fillim të këtij muaji, janë konfirmim i këtij avancimi”, ka thënë presidenti Thaçi.


Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, gjithashtu u shpreh i kënaqur me intensifikimin e bashkëpunimit dhe përkrahjen në mes dy vendeve.


“Hapja e ambasadës sonë në Prishtinë, samiti i suksesshëm i bizneseve dhe Java e Kulturës Japoneze që do të mbahet muajin e ardhshëm janë konfirmim i afrimit tonë”, u shpreh edhe kryeministri Abe.


Presidenti Thaçi shtoi se Kosova e përkrah kryeministrin Abe në politikat rajonale dhe në mbylljen e çështjeve të hapura si kidnapimi i qytetareve japonezë nga Koreja Veriore.