Follow us on:

Kremtohet 10 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Japoninë

Tokio, 14 mars 2019 – Ambasada e Republikës së Kosovës ka organizuar koncert pianistik dhe pritje në nderë të shënimit të 10 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Japonisë, si dhe për 11 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës si dhe me rastin e vizitës së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës në Japoni.

Pianistja kosovare Ardita Statovci së bashku me japonezen Mikako Yanagisawa kanë mahnitur publikun me tingujt e pianos duke luajtur pjesë nga Schubert, Mozart, Liszt, Iwakawa e Beqiri. Ndërkaq, perkusionisti Yuichi Isse u bashkëngjit për të performuar pjesë me tupan duke krijuar tingujt tradicional shqiptar, pjesë nga “Vallëzimi, shpirti i traditës” nga autori Valton Beqiri. Pas koncertit mbrëmja vazhdoi me një koktej rasti që mblodhi mbi 150 zyrtarë nga institucionet shtetërore, ekonomike e kulturore japoneze dhe nga korri diplomatik i akredituar në Tokio. 

 

Në fjalën e tij përshëndetëse, Z Veseli ndër të tjera tha se mezi po pret të shoh valëzimin e flamurit të Japonisë në qiellin e kryeqytetit të Kosovës dhe shtoi se dëshiron të ketë prezencë edhe më të madhe japoneze në të gjitha sferat e jetës. Përveç mirëseardhjes dhe falënderimit për përkrahjen e vazhdueshme të Japonisë, në hapje të pritjes, ambasadori Leon Malazogu tha se Japonia është shteti më i besueshëm i Kosovës në Azi dhe se Kosova mirëpret rolin më aktiv të Japonisë në Ballkanin Perëndimor.

 

Në emër të Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë fjala iu dha edhe deputetit dhe njëkohësisht Presidentit të Ligës Parlamentare të Miqësisë Japoni-Kosovë Z Ryu Shionoya, i cili uroi për 10 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike duke uruar zhvillim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve në shumë fusha duke përfshirë ekonominë dhe kulturën.

 

Në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë foli ambasadori i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor Jun Saito. Ai tha se hapja e ambasadës në Prishtinë do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejmë të të dyja shteteve dhe shtoi se si ambasador i ngarkuar me Ballkanin Perëndimor do të vazhdojë të punojë shumë drejt bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

 

Një segment i veçantë i mbrëmjes ishte edhe fjala e ish Përfaqësuesit të përhershëm të Japonisë në Kombet e Bashkuara ambasadorit Yoshifumi Okamura, i cili foli për përvojën e vet në Kosovë menjëherë pas luftës dhe për cilësinë e verës kosovare i cili edhe ngrehu dollinë me të gjithë folësit. 

 

Në përmbyllje foli ish-ambasadori i Japonisë në Kosovë, Z Makoto Taketoshi, i cili përveç urimeve për këtë festë, i dëshiroi marrëdhënieve të të dyja vendeve të gjitha të mirat. Ambasadori Taketoshi edhe  nxori emrat e fitueseve të lotarisë për disa shpërblime përfshirë një biletë për Kosovë të dhuruar nga Turkish Airlines.

 

Në këtë ngjarje u ekspozuan dhe shërbyen prodhime kosovare si verëra, likere, dhe çipsa të kompanive kosovare si KosovaWine, Stone Castle, Bodrumi i Vjetër, Biopak shpk-Muratti, Illyrian, Frutomania, dhe PESTOVA – Vipa çips. Gjithashtu u ekspozuan disa fotografi të atraksioneve turistike të Kosovës.