Follow us on:

Ambasada e Kosovës në Romë aktivitet falënderues për aktivistët për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës

Romë, 22 mars 2012 - Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë u ka ofruar falënderime aktivistëve/bashkatdhetarëve për punën e palodhshme për Lirinë dhe Pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Në ngjarjen e organizuar enkas në Hotel Marriot në rrugën prestigjioze Via Vittorio Veneto në Romë, u mblodhën një numër i bashkatdhetarëve nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia nga të gjitha anët e Italisë për t’u takuar së bashku, për të evokuar kujtimet por edhe për të sugjeruar që këto lloj falënderimesh duhet të zgjerohen edhe për miqtë tjerë shqiptarë dhe italianë që kontribuuan për çlirimin e vendit.

Në vazhdim po përcjellim fjalën e Ambasadorit Prenkaj në këtë ngjarje.

I nderuari Ambasador Kola,

Të nderuar bashkatdhetar,


Miq të nderuar,


Shprehë kënaqësinë time të thellë dhe nderimin më të lartë për mundësinë që më është ofruar sot të jap një nderim për ata që dhanë jetën dhe kontributin e tyre më të sinqertë për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Na mbetet detyrë e të gjithëve si në institucione dhe secilit prej nesh si qytetarë dhe bashkëkombës të konsolidojmë demokracinë tashmë të vendosur të shtetit më të ri në Evropë.

Na pret një përkushtim dhe punë me dedikim të veçantë, që të përmbushim misionin tonë strategjik e që është integrimi në institucionet e Bashkësisë Evropiane. Të plotësojmë sa më shpejtë kushtet e parashtruara për Liberalizimin e Vizave, të plotësojmë kriteret që të futemi në procesin e Asociim Stabilizimit, të integrohemi si rajon i tërë me të gjitha vendet fqinje si garanci për një paqe të qëndrueshme dhe zhvillim. Dhe në ndërkohë ne do t’i kryejmë detyrat e shtëpisë, në mënyrë që të ndërtojmë jetë stabile për të gjithë qytetarët e Republikës më të re në Gadishullin Ilirik.

Më lejoni që të ju lë një porosi kështu i nderuar para jush në cilësinë e Ambasadorit të parë të Republikës së Kosovës këtu në Romë:

Ju që nuk kursyet as edhe një grimcë më të imtë tuajën, flijuat atë që ishte më e vlefshmja për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, tashmë në paqe, sfidoheni me sfida nga më të ndryshmet. Përditshmëria e juaj ju ballafaqon me probleme ekzistenciale dhe ato me të cilat ballafaqohet sot moderniteti Italian. Kriza e re që e ka vërshuan Evropën, medoemos pasqyron përditshmërinë tuaj.

Por, mu ashtu siç dolët fitimtarë së bashku me familjet tuaja në Kosovë, nga kjo krizë duhet të dilni me një mësim të ri. Ju thërras që mu aty ku jetoni e veproni në secilën provincë e qytet, për të qenë të barabartë dhe konkurrentë me të tjerët pranë jush, dërgoni gjeneratat e reja të arsimohen. Të marrin mësime në të gjitha nivelet e arsimimit. Neve në anën tjetër të Adriatikut, jo vetëm se na vjen mirë kur të ju shohim të arsimuar, por kemi nevojë përsëri për ndihmën tuaj, por jo vetëm ndihmesën financiare e cila asnjëherë nuk ndalet, por kemi nevojë për dijen dhe njohuritë e juaja që i keni mbledhur nëpër universitetet italiane e gjetiu. Kemi nevojë për deputetë në parlamentet nacionale evropiane, senator, e pse jo dhe për ministra që mbajnë emrat tonë. Dhe ne do të jemi krenar për dobinë që do ti sillni shoqërisë në të cilën jetoni, por dhe vendit tuaj.

Më lejoni që në emër të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Sh.T. Enver Hoxhaj, në emër të Kryeministrit të Republikës Hashim Thaçi, në emër të Kryeparlamentarit Dr. Jakup Krasniqi dhe Presidentes Atifete Jahjaga, të Ju ofroj këtë shenjë të mirënjohjes për punën dhe dedikimin tuaj për çështjen kombëtare, të Drejtën, Lirinë dhe Pavarësinë e popullit të Kosovës.
 Përkulemi para atyre që sot nuk janë me ne, por jeta dhe vepra e tyre mbetet e përjetshme!

U lexuan dhe disa nga emrat e rëndësishëm të kulturës, jetës publike – politike e fetare të Italisë dhe Vatikanit, si: Gianna NANNINI këngëtare, që në bashkëpunim me këngëtarë tjerë italianë ka mbajtur koncerte ku ka mbledhur ndihma për refugjatët kosovarë të shpërngulur me forcë, Enzo BETTIZZA ,shkrimtar,gazetar dhe publicist i njohur italian, Massimo D’ALEMA ish kryeministër i Italisë gjatë fushatës së intervenimit të NATO-së dhe lirimin e Kosovës, Papa Gjon Pali  i II-të, i Lumturuar për angazhimin dhe lutjet e të cilit për arritjen e paqes në Kosovë dhe kthimin e kosovarëve në shtëpitë e veta dihen botërisht.

Kjo praktikë do të vazhdoj edhe më tutje me ç’rast do të përfshihen të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre për Lirinë dhe Pavarësinë e Republikës së Kosovës.