Follow us on:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë shënoi 4 vjetorin e Pavarësisë

Me rastin e 4 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë organizoi një pritje solemne për trupin diplomatik të akredituar në kryeqytetin italian. Mes shumë miqsh e të ftuarish, në këtë ceremoni mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Romë, David Thorne.

Gjatë festës u ndan edhe falenderime për njerëz që kanë kontribuar për Kosovën dhe për lirinë e saj. Ambasadori Albert Prenkaj  gjatë fjalimit të tij në këtë solemnitet theksoi: “Është ky viti i katërt kur Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë organizon takimin me miq e kolegë në ditën e pavarësisë. Mu nga këtu kam pasur nderin t’ju shpall kumtin e mirë të hapjes së ambasadës dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetin mik Italian.

E njohur nga 87 vende, vetëm në vitin e kaluar, është njohur nga 13 vende mike, anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore, së shpejti do të aderojë në Bankën Evropiane për Rekonstruksion dhe Zhvillim, këtë vit me hapa të përshpejtuar po aplikon agjendën Evropiane, e cila do të fillojë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe aderim në mekanizmat e BE-së.

Vizioni ynë është që të anëtarësohemi në BE i tërë rajoni i kësaj pjese të mbetur të Evropës, duke e lënë anash mentalitetin e vjetëruar të zgjidhjes së problemeve në mënyrë parciale. Gjuha jonë është gjuhë e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit Euro-Atlantik, sepse Republika e Kosovës së bashku me vendet mike prodhon paqe të qëndrueshme në këtë pjesë të Evropës.

Në fund më lejoni që në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Hoxhaj, të shpreh falenderimet për kontributin personal, profesional dhe institucional gjatë shërbimit në Kosovë, por edhe këtu në Itali, gjithnjë në të mirë të bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve tonë”.