Follow us on:

Kompania "Chianti Ruffino" e gatshme për investime në vreshtarinë kosovare

Me ftesë të presidentit të kompanisë së famshme të verës "Chianti Ruffino", Dr.Angelo Biggioggero, Zëvendëskonsulli Arben Muhameti, i shoqëruar nga Kryetari i Odës Ekonomike Italo-Kosovare, ishin të pranishëm në takimin e zhvilluar në Toskanë, në selinë e kompanisë Chianti.

Bashkëbiseduesit u informuan nga Zv.Konsulli Muhameti në mënyrë të detajuar për mundësitë që ofron Republika e Kosovës në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik e në veçanti në atë të bujqësisë, duke vënë theksin në kapacitetet e mëdha të vreshtave që disponon Kosova, në kapacitetet aktuale për prodhimin e verës, traditën, kushtet e mira klimatike, dhe fuqinë punëtore të kualifikuar në këtë sektor.

Presidenti i kompanisë Chianti, z.Biggioggero, me bashkëpunëtorët shprehën një interesim serioz për të investuar në Kosovë, kryesisht në posedimin e sipërfaqeve të mëdha me vreshta, grumbullimin e rrushit dhe përpunimin e verës si produkt  final apo si gjysmëprodukt,  i  cili më pas do të distribuohej në tregjet evropiane me logon e Chiantit.

Gjatë takimit gjithashtu u diskutua rreth potencialeve ekonomike, lehtësirave fiskale dhe kostos së lirë të prodhimit të produkteve që ofron Kosova. Si rezultat i këtij takimi të frytshëm investitorët italianë të Chianti-t shprehën gatishmërinë e tyre që të udhëtojnë në Kosovë në muajin mars, për të vlerësuar konkretisht ambientin ekzistues që ka të bëjë me fushën e tyre dhe për të filluar investimet brenda një kohe të shkurtër.

Në përfundim të këtij takimi, Zv.Konsulli Muhameti dhe delegacioni pati mundësinë që të vizitonte kantinat e verës, ambientet gjigante të përpunimit dhe prodhimit të kësaj kompanie të famshme.