Follow us on:

Homazhe me rastin e 544 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë organizuan manifestimet përkujtimore me rastin e 544 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Homazhet u zhvilluan në sheshin “Piazza Albania”, ku gjendet e vendosur prej shumë vitesh shtatorja e heroit kombëtar në Romë.

Të pranishëm ishin ambasadori i Kroacisë në Romë, i dërguari i Ambasadës  së Zambisë, diplomatë të ndryshëm të akredituar në Romë.

Të shoqëruar nga himni kombëtar i dy shteteve tona, ekzekutuar nga banda frymore u vendosën kurora lulesh pranë shtatores së heroit kombëtar, me ç’rast ambasadori Prenkaj para të pranishmëve u paraqit me një fjalim  kushtuar kësaj ngjarjeje të rëndësishme:
Shpreh kënaqësinë time të veçantë që sot jemi mbledhur sot këtu para shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeu në Piazza Albania, në 100 vjetorin e lindjes së Shqipërisë, kur pjesa më e madhe e shqiptarëve të organizuar në shtete, gëzojnë lirinë, pavarësinë, në demokracinë tashmë të konsoliduar.

Kosova e mbetur edhe për plot 90 vite e robëruar, sot është shtet me vizionin e qartë të integrimeve Euro-Atlantike.

Shqiptarët në Maqedoni e Mal të Zi gjithashtu e fituan dhe e  gëzojnë lirinë, të drejtat kulturore e kombëtare dhe statusin shtetformues. Në Kroaci shqiptarët përbëjnë një minoritet të konsoliduar ekonomikisht dhe të respektuar.

Në Itali dhe Greqi, në Gjermani e Zvicër, Austri dhe SHBA shqiptarët janë një diasporë dinamike dhe mjaft e  integruar, duke qenë gjithmonë pranë vendlindjes. Pra,  me një fjalë, shqiptarët janë urë lidhëse shumë e rëndësishme e bashkëpunimit të ngushtë në mes të gjitha vendeve mike. Por jo vetëm kaq, me shekuj shqiptarët tregojnë mirëkuptimin dhe zemërgjerësinë për të gjitha komunitetet pa dallim etnie, feje, besimi, që jetojnë me ta dhe pranë tyre. Për më tepër, për të jetuar jetën në kompromis dhe mirëkuptim, shqiptarët kanë ofruar standardet më të larta në Evropë për komunitetet minoritare të të gjitha etnive, me theks të posaçëm për etninë serbe në Kosovë.

Pas historisë së vështirë në 100 vjetshin e kaluar, shqiptarëve në këtë fillim shekull iu qeshi historia.  Shqiptarët në tërë rajonin janë determinantë seriozë në shtendërtim, funksionalitet shtetëror, në ruajtjen e paqes së qëndrueshme, duke kontribuar seriozisht në marrëdhënie fqinjësore me popujt e tjerë të rajonit dhe në politikën integruese në BE dhe NATO.

Në këtë 100 vjetor, Kosova po merr rrugëtimin drejt liberalizimit të vizave dhe marrëdhënieve kontraktuale me BE-në. Kosova sivjet ka shënuar një përparim në njohjen nga 13 vende, për të arritur numrin 86 të njohjeve, duke vazhduar punën për njohje të reja. Shpreh bindjen time të thellë se këtë vit do të kemi njohje të reja, për t’i përafruar vlerat tona kombëtare me ato të vendeve që do të njohin Kosovën.

Këtu në Itali, Ambasada e Republikës së Kosovës po përpiqet të thellojë dhe të avancojë edhe më tej marrëdhëniet e shkëlqyeshme me Italinë, në të mirë të dy shteteve tona, në shërbim të qytetarëve dhe ndërmarrësve të të dyja vendeve.

Vitin e kaluar kemi shënuar një sukses të rëndësisë së veçantë. Është themeluar Oda Ekonomike Italo-Kosovare e cila do të jetë promotor i  lëvizjes së bizneseve dhe mallrave dhe ideve nga të dyja vendet, që pa dyshim ndihmon në rritjen ekonomike dhe atë të punësimit.

Sivjet do të lehtësojmë së bashku themelimin e Institutit humanistik “Pjetër Bogdani” në Romë. Ky institucion i udhëhequr nga mendjet e ndritura të akademikëve tanë arbëreshë, shqiptarë e italianë do të zgjerojë njohuritë për kulturën shqiptare dhe trashëgiminë në të dyja brigjet e Adriatikut dhe më tej. Uroj që ky institut humanistik të jetë një gjenerues i nismave të  ngjashme dhe bashkëpunimit me institute e institucione të ngjashme këtu në Romë, në Itali dhe jashtë Italisë, e që në një të ardhme jo të largët të kurorëzohet me akademinë shqiptare në Romë.

Shqipërisë dhe shqiptarëve ju uroj 100 vjetorin e shtetësisë me dëshirën më të sinqertë që të përshpejtojë procesin e  integrimit në BE, ashtu siç u bë anëtare e NATO-s. Në 100 vjetshin e ardhshëm shqiptarët do të jenë një faktor i rëndësishëm i stabilitetit, paqes, i zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal dhe atij Euro-Atlantik, përçues të paqes, sepse shqiptarët tashmë eksportojnë mesazhin e paqes dhe të bashkëpunimit.

Skënderbeu mbetet pa asnjë dyshim figurë qendrore e kulturës sonë të përbashkët shqiptare – evropiane, simbol i qëndrueshmërisë nëpër shekuj, determinant i shtratit tonë kulturorë, simbol i vizionit të qartë oksidental, model i shkëlqyeshëm që ishte dhe mbetet në vazhdimësi!