Follow us on:

Koncert festiv në Bazilikën e Shën Injac Lojolës në Romë

Trio Qarri-Bytyqi-Haxhiaj urojnë festat e fundvitit me melodi të shkëlqyeshme nga trevat tona. Njëherësh u promovua Kalendari 2012 i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë. Romë, 13 dhjetor 2011 - Të mërkurën me 13 dhjetor, në ambientet e Kishës së Shën Injac Lojolës, pjesë e kompleksit të rendit Jezuit, në pjesën historike të Romës, është mbajtur një koncert i muzikës klasike, i organizuat nën patronatin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë. Në koncert luajti trioja e muzikantëve të rinj nga Kosova dhe Shqipëria: Artemida Qarri, piano forte, Ardiana Bytyqi, mezzo sopran dhe Adorel Haxhiaj, violonçelo.

Në koncert u interpretuan pjesë nga repertori i muzikës klasike të periudhës së festave të fundvitit si dhe pjesë nga repertori i muzikës klasike shqiptare, si: Margello, Agimet, Rondo, Adetes Fideles, Nina- Nana etj.

Koncertin e hapi Ambasadori i Kosovës në Romë, Albert Prenkaj, duke ju uruar të pranishmëve festat e fundvitit dhe një mbrëmje të këndshme kulturore me tonet origjinale që vijnë nga zemra e Kosovës.

Koncerti u përcoll nga përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar pranë Kuirinales (shtetit italian) pranë Selisë së Shenjtë, si dhe miq të Ambasadës, të cilët përcollën me duartrokitje dhe ovacione interpretimet e trios së shkëlqyeshme.

Pas koncertit, mysafirëve u është shpërndarë kalendari 2012 i Ambasadës sonë, kalendar ky i cili këtë vit promovon veprat artistike të piktorëve kosovarë, shqiptarë dhe të huaj që kanë paraqitur motive origjinale. Vlen të përmendet se Kalendari 2012 i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë është punuar duke iu falënderuar donacionit të mikut të madh Kosovës, z. Vito Grittani.