Follow us on:

Tryeza e rrumbullakët në Lecce: Kosova, një shtet i ri. Sfidat euroatlantike “.

Në kuadër të aktiviteteve kulturore “ Città del Libro” ( Qyteti i librit), në Kampin e Salentinës në Provincën e Lecce-s, Këshilltari i Ambasadës Avni Hasani mori pjesë në cilësinë e referuesit kryesor në tryezën e rrumbullakët: “ Kosova, një shtet i ri. Sfidat euroatlantike “. Kjo tryezë u organizua nën kujdesin e gazetares Fabia Martina, e cila javë më parë, bashkë me një numër të gazetarëve të tjerë, me mbështetjen e KFOR-it italian kishte bërë një vizitë në Kosovë, me qëllim të njohjes më për së afërmi me trashëgiminë kulturore të Republikës së Kosovës, me traditat e popullit të saj, etnologjinë dhe me potencialin turistik që ofron vendi ynë.

Para një auditoriumi të përbërë nga nxënës dhe studentë, autoritete lokale, si dhe të  një numri të madhë të pjesëtarëve të forcave të armatosura italiane që kanë shërbyer në Kosovë, Këshilltari Avni Hasani, në kuadër të referimit të tij u përqëndrua në zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës dhe vizionin politik integrues euro-atlantik.

Ai ofroj një pasqyrë të shkurtër lidhur me historikun e zhvillimit të rrethanave në Kosovë, luftën e popullit të Kosovës për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës.

Në referimin e tij Koloneli Biagio Paluscio, i cili kishte shërbyer 9 muaj në Republikën e Kosovës në kuadër të forcave të KFOR-it italian, solli para të pranishmëve eksperiencën e tij gjatë kohës së shërbimit në Kosovë, duke theksuar me krenari se kosovarët kanë vlerësuar me admirim punën e KFOR-it italian dhe në të njejtën kohë çmoi lartë bashkëpunimin mes KFOR-it dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Referuesi i radhës gazetari Paolo Inno, i cili kishte qenë në Kosovë para disa javësh, e përqëndroi diskursin e tij lidhur me mënyrën e informimit të opinionit publik italian e sidomos të atij puljez mbi ngjarjet në  Kosovë  dhe rreth saj. Sipas tij, ky informim fatkeqësisht ka asociuar dhe asocion tek italianët gjithmonë me termin e luftës, spastrimit etnik etj. Ai theksoi se jemi para një fakti që mediat italiane interesohen vetëm për ato çështje që në imagjinatën e tyre përbëjnë rrezik për Italinë ( psh. zona e rrezikut ekonomik, zonë invazive, zona e rrezikut të imigrantëve etj). Sipas tij, kur përmendej Kosova, menjëherë kjo u asocion me luftën dhe skenat e pastrimit etnik, dhe se në këtë drejtim iu përket gazetarëve që të pasqyrojnë realitetin tjetër të Kosovës, si një vend me një potencial të jashtëzakonshëm, falë   trashëgimisë së saj kulturore, etnologjike dhe shpirtërore shumë të begatë, dhe mundësive për lloje të ndryshme të turizmit. Ai solli para auditoriumit eksperiencën e jashtëzakonshme gjatë një jave të qëndrimit në Kosovë, duke theksuar se Kosova ka një laryshi të traditave, kulturës dhe religjioneve, fakt ky që e bënë atë një një vend të jashtëzakonshëm.

Gazetarja Fabia Martine, e cila njëherit është dhe Asistente Profesore e Arkeologjisë në Universitetin e Salentos, e përqëndroi diskursin e saj lidhur me përshtypjet mbi vizitën e bërë në Kosovë, duke sjellur para audiencës dhe fotot e monumenteve të kulturës dhe atyre religjioze të Republikës së Kosovës. Ajo ndër të tjera theksoi se përveç  xhamive, kishave dhe manastireve, dhe objekteve religjioze kryesore të mbrojtura nga UNESCO-ja,  Republika e Kosovës ka dhe objekte tjera kulturore të rëndësisë së jashtëzakonshme.

Duke u shprehur se kosovarët duhet shfrytëzojnë këtë begati të trashëgimisë së tyre kulturore për të zhvilluar llojet e ndryshme të turizmit, gazetarët shprehën gatishmërinë e tyre për të pasqyruar para opinionit publik italian faqen e vërtetë të Republikës së Kosovës. Ata poashtu premtuan se tryeza e sotme është vetëm një prelud i asaj që do të pasojë, në aktivitetet e tyre për të prezentuar trashëgiminë kulturore, shpirtërore, etnologjike të Republikës së Kosovës dhe të popullit të saj.

"Ne lidhje me pasqyrimin e ngjarjes nga mediat lokale, mund te klikoni ne":

http://www.salentoweb.tv/video/5931/citta-libro-2011-dibattito-kosovo