Follow us on:

Kosova - sfidat e integrimeve euro-atlantike

Në bashkëpunim me SIOI, Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë organizoi debat në temën, “Kosova dhe sfidat e integrimit euro-atlantik”, nëpërmjet së cilës publikut italian iu ofrua një ide e qartë për vizionin konsensual politik në Kosovë, në kontekstin historik, por dhe në përditshmërinë e saj.

Diskursi i ambasadorit Prenkaj ishte pasqyrim i linjës së Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me pozitën e vendit dhe vizionin politik integrues euro-atlantik. Ai ofroj një pasqyrë të shkurtër lidhur me historikun e zhvillimit të rrethanave në Kosovë, luftën e popullit të Kosovës për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Ai ritheksoi para një auditori të gjerë se pavarësia e Kosovës është trajtuar nga GJND si rast sui generis, Deklarata e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, shumë e përfolur në kuluaret gazetareske e politike të Italisë. Ai potencoi se Plani i Ahtisarit për akomodimin e qytetarëve serbë të Kosovës është më superior se vet akomodimi i gjermanëve në Alto Adige/sud Tirol, apo rasti i ishujve Aland në Baltik. Në lidhje me ndërhyrjen se çështja e Kosovës mund të adresohet nga “...dy qendrat kryesore në Ballkan: Tirana dhe Beogradi”[1], ambasadori e bëri të qartë për opinionin e gjerë italian se nuk ekziston asnjë qendër rajonale që mund të flasë në emër të popullit të Kosovës, përpos institucioneve të dala nga vota e popullit të Republikës së Kosovës. Bëri të ditur se as Serbia nuk ka të drejtë të flasë në emër të serbëve të Kosovës, sepse interesat janë plotësisht divergjente në mes Serbisë dhe qytetarëve serb të Kosovës.

Prof. Politi, bashkëpunëtorë i SIOI-t, në diskursin e tij la për të kuptuar se çështja e Kosovës duhet të kuptohet në prizmin e ngjarjeve globale dhe të gjitha segmenteve shoqërore që mund të reflektojnë në zhvillimet rajonale në këtë pjesë të Evropës. Ai ritheksoi se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmbylli çështjen e legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Duke u ndërlidhur me mundësinë e një federata ballkanike, ai theksoi se askush nuk mund të përkrahë një ide të tillë, por është një çështje imediate, jo vetëm për Kosovën, për Serbinë dhe për vendet tjera të rajonit që të nënkuptohet që diskursi nacionalist është i dëmshëm dhe me të mund të shkohet në greminë.

Diskursi i redaktorit të KTV-së, Adriatik Kelmendi, u përqendrua në procesin integrues të Republikës së Kosovës në mekanizmat e BE-së. Ai paraqitjen e tij e përqendroi në zhvillimet e fundit politike pas publikimit të Raportit të Progresit dhe zhvillimet e dialogut Kosovë-Serbi, duke theksuar lajm të mirë premtimin për fillimin e dialogut të liberalizimit të vizave, i cili do t’i hiqte kosovarët nga izolimi nga pjesa tjetër e Evropës. Lidhur me procesin e dialogut Serbi-Kosovë, ai u shpreh se pesë marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e BE-së janë duke u zbatuar unilateralisht nga ana e Prishtinës dhe një gjë të tillë nuk është duke e bërë Beogradi.

Ilir Kulla, docent në SIOI prezantimin e tij e përqendroi në integrimet rajonale në NATO. Për zotin Kulla, forca ushtarake e Kosovës është NATO dhe qëllimi i afatgjatë është që këtë realitet strategjik ta ofrojë si përgjigje ndaj qëndrimit anti NATO në Serbi. Ai ritheksoi se Kosova ka kaluar nëpër shumë tranzicione, duke filluar nga ai prej një njësie të ish federatës në një shtet të pavarur, prej një shteti jodemokratik komunist në një demokraci, nga tranzicioni prej një shteti federal në një shtet multietnik. Sipas tij, Plani i Ahtisarit iu ofron serbëve më shumë të drejta se çdo pakice tjetër në botë dhe Evropë. Qasja e tij është se politikës duhet t’i paraprijë interesi ekonomik.

Në fund, ai theksoi se në kohën kur Kosova po rritet si shtet i ri, kemi në krijim një rend të ri botëror dhe se globalizmi duhet shikuar si mundësi për Kosovën, e jo si pengesë.