Follow us on:

Delegacioni i Ambasadës së Kosovës vizitoi Arkivin e Shtetit në Romë

Vizita e delegacionit të Ambasadës së Kosovës Arkivit të Shtetit në Romë shërbeu për të kuptuar mirëfilli ndërtimin e strukturave të rëndësishme të shtetit, si: administrata shtetërore, posta-telegrafi, hekurudha, kadastra, sistemi shëndetësor e social, kalimi nga sistemi monarkist në atë republikan, betejat politike institucionale, ato jashtë institucionale etj., një përvojë interesante kjo e ndërtimit të shtetit italian që po vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Në fund të vizitës, zëvendësdrejtoresha së bashku me z. Frate ofruan dokumentacion të viteve 1928, 1933 dhe 1943, si ekzemplarë, shembuj të pasurisë së çmueshme të këtij institucioni.

Dokumentet e vitit 1928 - ofrojnë projektet për ndërtimin e vilave të Mbretit Zogu I. Dokumentet janë të shkruara në gjuhën shqipe të kohës, në detaje për kostot, kryerjen e punëve dhe kornizën kohore të fillimit dhe përfundimit të projekteve. Në dokumente qëndron vula dhe pullat postare të dhjetorit të vitit 1928. Nga zëvendësdrejtoresha u potencua se Arkivi i Shtetit vizitohet shumë shpesh nga qytetarët e Shqipërisë që ballafaqohen me konteste pronësore.

Dokumentet e vitit 1933 - janë disa ekzemplarë të gazetës së botuar në Vjenë në gjuhët e Ballkanit.

Dokumentet e vitit 1943 –flasin kryekëput për Prishtinën dhe Pejën, si dhe me persona shqiptarë të arsimuar në Itali. Është fjala për Shaban Bashën nga Peja, Xhevat Begun, po ashtu nga Peja dhe për Xhavit Mitrovicën.

Arkivi Shtetit italian, tejet i pasur me dokumente të natyrave të ndryshme, si: administrative, kadastrale, politike e mbi të gjitha diplomatike, është një nga institucionet që ofron burime të çmueshme për ndriçimin e historisë sonë, dhe kontaktet me shtetin italian në periudha të ndryshme historike.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë shpreh kënaqësinë për ofrimin e një vizite të tillë dhe shpreh gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të lehtësuar kontaktet me Arkivin e Shtetit të Italisë.