Follow us on:

Themelohet Oda Ekonomike Italo-Kosovare

Themelohet Oda Ekonomike Italo-KosovareRomë, 16 nëntor 2011 - Në ambientet e Ambasadës së Republikës se Kosovës në Romë u themelua Oda Ekonomike Italo-Kosovare. Të pranishëm ishin biznesmenë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Itali dhe biznesmenë të ardhur nga Kosova enkas për themelimin e kësaj ode. Të pranishëm përveç Ambasadorit Prenkaj dhe stafit diplomatik të Ambasadës së Republikës së Kosovës, ishte edhe Drejtori për çështje ekonomike dhe strategji në kuadër të MPJ-së së Republikës së Kosovës z. Agron Maloku.

Ishte një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë dhe z.Vito Gritani, drejtor përgjegjës dhe botues i revistës “Il Diplomatico”, që bëri të mundur kurorëzimin me sukses të kësaj iniciative e lansuar fillimisht me rastin e konferencës për mundësitë që ofron Kosova për investimet e huaja, e cila u mbajt në muajin prill të këtij viti “Të investohet në Kosovë” në Bari të Italisë.

Të pranishmëve iu drejtua Ambasadori i Republikës së Kosovës në Romë, Albert Prenkaj me një fjalë rasti në hapje të sesionit të punimeve të Kuvendit iniciues.

Në fjalën e tij Ambasadori Prenkaj, pasi përgëzoi organizatorët për iniciativën shumë të qëlluar të themelimit të Dhomës së Tregtisë Italo-Kosovare, foli ndër të tjera për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Italisë dhe Kosovës, avantazhet që sjell ky bashkëpunim reciprok, kushtet dhe rrethanat aktuale që favorizojnë nje klimë të mirë shkëmbimesh tregtare ndërmjet dy shteteve tona mike.

“Oda ekonomike Italo –Kosovare do të duhej të shëndrrohej në një pikëtakimi për të gjithë investitorët potencial dhe afaristët që operojnë ose do të operojnë në dy vendet tona”, theksoi Ambasadori Prenkaj.

Në sesionet e punës të Kuvendit themeltar u miratua unanimisht statuti i kësaj Ode dhe u zgjodhën organet drejtuese: Këshilli Drejtues, Presidenti, Zëvendëspresidenti dhe Sekretari Gjeneral. Selia e Odës Ekonomike u vendos të jetë në Romë.

President i Odës Ekonomike Italo-Kosovare u zgjodh Hamdi Muhameti, afarist që ushtron veprimtarinë shumëvjeçare në Romë. Zëvendëspresident Naim Gacaferri - afarist i njohur që ushtron veprimtarinë e tij biznesorë në Kosovë, ndërsa Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Pasquale Pepe, afarist nga Rajoni i Puglias.

Kjo odë do të ketë për mision stimulimin e bashkëpunimit të bizneseve midis dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok.

Në mbyllje të punimeve të Kuvendit për nder të të pranishmeve, Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë shtroi një koktej.