Follow us on:

Presidentja Jahjaga, në manifestimin e 150 vjetorit të bashkimit të Italisë

Romë, 3 qershor- Me ftesën e Presidentit të Republikës së Italisë Napolitano, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e 150 vjetorit të bashkimit të Italisë dhe 62 vjetorit të ditës së Republikës.

Në ditën e parë (më 1 qershor), Presidentja morri pjesë në Konferencën “Qyteti Multietnik”, ku pati rastin t’i shtrëngojë duart me Presidenten e Konfederatës Helvetike, M. Kalmi Rei, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, Kryebashkiakun e Romës, Alemano, etj. Në këtë konferencë, Presidentja Jahjaga paraqiti vizionin e Kosovës si shtet multietnik me të gjitha garancat për komunitetet minoritare, përfshirë pra këtu filozofinë integruese dhe jo atë të ndarjeve dhe copëtimeve.

Të nesërmen (më 2 qershor), Presidentja Jahjaga mori pjesë në manifestimin qendror, në paradën madhështore të organizuar enkas për ditën e Republikës, gjegjësisht 150 vjetorin e bashkimit kombëtar të Italisë. Në tribunën presidenciale, Presidenten e shoqëruar nga këshilltari Deda, e përshëndeti Presidenti Napolitano dhe Kryeministri Berluskoni. Presidentja Jahjaga pati rastin të takohej me nënkryetarin e SHBA-ve, z. Baiden, Kryetarin e Afganistanit, Khazai, Kryetaren e Zvicrës, Kalmi Rei, Presidentin e Shqipërisë Topi,  Princin gjegjësisht, Arkipeshkvin e Andorës, kryetarin e Kroacisë, etj.

Të njëjtën ditë Presidentja mori pjesë në koncertin e organizuar nga Presidenti Napolitano me ç’rast orkestra harkore luajti veprën e njohur “katër stinët” të kompozitorit të njohur italian, Vivaldi. Për nder të presidentëve të pranishëm, Presidenti Napolitano organizoi një darkë rasti, ku mori pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Në fillim presidentët e pranishëm i përshëndeti Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së Ban Ki Mun dhe vetë Presidenti Napolitano. Gjatë darkës, Presidentja Jahjaga pati rastin të bisedojë me Sekretarin e Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Bertone, Presidentin e Suedisë Karl Bildt dhe me shumë të pranishëm të tjerë.