Follow us on:

Simpozium shkencor për eksperiencën socio-juridike mes Italisë, Shqipërisë dhe Kosovës

Nën patronatin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë, me 26 maj, u organizua simpoziumi shkencor: “Italia, Albania e Kosovo: esperienze socio-giuridiche a confronto”.

Punimet e simpoziumit u zhvilluan në ambientet e Universitetit Sapienza të Romës, në prani të një numri të madh studiuesish, diplomatësh e studentësh, ku morën pjesë edhe studiues të shquar nga Italia, Kosova dhe Shqipëria.

Simpoziumi u organizua ndërmjet universiteteve të tre shteteve, nën patronatin e Ambasadës së Republikës së Kosovës.

Te pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti Ambasadori i Republikës së Kosovës në Romë, Albert Prenkaj, i cili theksoi nevojën e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet dy vendeve tona në të gjitha fushat, duke përgëzuar studiuesit për këtë iniciativë të rëndësishme, e cila kontribuon në afrimin e dy shteteve tona mike.

Ambasadori Prenkaj gjatë paraqitjes së tij theksoi rëndësinë strategjike që Italia ka për Kosovën, duke paraqitur një pasqyrë reale të bashkëpunimit të deritashëm me institucionet italiane.

Të pranishëm ishin Rektori i Universitetit Sapienza,  Prof.Luigi Frati, Prorektori Antonello Biagini, pastaj Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Prof.Bajram Ukaj, i shoqëruar nga prodekani Mejdi Bektashi, të cilët u paraqiten edhe me nga një kumtesë.

Gjatë ditës u nënshkruan edhe dy protokolle ekzekutive bashkëpunimi ndërmjet Fakultetit Juridik të UP-së dhe atij të Sapienzas.

Studiuesit nga tre shtetet, Italia, Kosova dhe Shqipëria u prezantuan me referatet shkencore në fusha specifike dhe patën një paraqitje të mirë, e cila u vlerësua lart në konkluzionet e simpoziumit.

Për pjesëmarrësit e simpoziumit, Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë, shtroi një darkë në ambientet e “Grand Hotel Flora”.