Follow us on:

Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka vizituar Italinë dhe Vatikanin

Në periudhën 23 - 26 maj, Delegacioni i lartë i Kuvendit të Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi dhe në përbërje të dy nënkryetarëve Xhavit Haliti dhe Glauk Konjufca zhvilluan takime frytdhënëse me përfaqësues të institucioneve të Republikës së Italisë dhe me zyrtarë të Selisë së Shenjtë.

Në ditën e parë, Kryetari i Parlamentit të Italisë Finni, shtroI drekë pune për homologun e tij Krasniqi dhe të gjithë pjesËtarët e delegacionit nga Kosova. Me këtë rast u zhvilluan bisedime të përzemërta. Bashkëbiseduesit u dakorduan që të themelohen menjëherë në të dy parlamentet Grupet Parlamentare të Miqësisë.

Në ditën vijuese delegacioni i udhëhequr nga Kryeparlamentari Krasniqi takoi nënkryetarin e Senatit të Republikës së Italisë, Kiti, nga i cili takim u nxor një deklaratë e përbashkët për përkrahjen e Kosovës nga ana e parlamentarëve italian në të gjitha nivelet parlamentare evropiane për çështjet strategjike të Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi me delegacionin u takua edhe me Kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme, Stefano Stefani, me Kryetarin e Delegacionit të Italisë në Parlamentin e OSBE-së që njëherësh është anëtarë i Parlamentit Evropian, z. Migliori. Nga takimi lindi ideja e futjes së Kosovës si vëzhguese në Parlamentin e OSBE-së, ide që u përkrah nga të dyja palët me përkushtim.

Kryeparlamentari zhvilloi takime me shefat e grupeve parlamentare të partive të përfaqësuara në Kuvendin italian, nga të cilët në takimin me z. Franceskini, si dhe me dy deputetë të PD-së, anëtarë të Komisioneve parlamentare, z. Mogherini dhe znj. Pistelli.

Kryeparlamentari Krasniqi me delegacionin u takuan dhe me përgjegjësin për Ballkanin pranë Sekretarisë Shtetërore të Selisë së Shenjtë, Mons. Jagodzinskin. Me këtë rast Kryeparlamentari ofroi informacione për liritë dhe të drejtat e qytetarëve të garantuara me Kushtetutë dhe me ligjet e Kosovës, përkujtoi lidhjet e veçanta të Kosovës me të Lumturuarin Papa Gjon Palin e Dytë dhe vazhdimësinë e interesimit për Kosovën nga Papa Benedikti XVI-të. Në fund, Kryeparlamentari bëri kërkesën zyrtare për njohjen e Kosovës nga ana e Papa Benediktit të XVI-të.

Kryetari i Kuvendit vendosi buqetë lulesh tek shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Romë.