Follow us on:

Një delegacion nga Kosova vizitoi rajonin e Pulias - Përkrahje e gjerë për themelimin e Odës Ekonomike Italo-Kosovare (OEIK)

Romë, 22 prill - Me qëllim të njohjes më të përafërt me institucionet rajonale, si dhe tërheqjes së investimeve të kësaj zone të Italisë në Kosovë, një delegacion i Republikës së Kosovës, vizitoi rajonin e Pulias për tre ditë me radhë.

Në kuadër të delegacionit të Republikës së Kosovës të udhëhequr nga Ambasadori Albert Prenkaj, ishin edhe Agron Maloku- Drejtor i Departamentit për Çështje Ekonomike dhe Bashkëpunim Ekonomik Ndërkombëtar në MPJ, Abdullah Isufi- Këshilltar i Kabinetit të Ministrit së Bujqësisë, Samir Lleshi- përfaqësues i Odës Ekonomike të Kosovës dhe zyrtarë të tjerë të Ambasadës së Kosovës në Romë.

Gjatë agjendës së ngjeshur, delegacioni përshkoi qendrat kryesore të rajonit të Pulias, duke u nisur nga provinca BAT (Barleta-Adria-Trani), Brindisi e Bari,  për të përfunduar në Fogjia.

Në ditën e parë (18 prill), delegacioni u takua me zyrtarë të provincës BAT në Barleta, për të vazhduar me një prezantim të thuktë në Asindustira me temën: “Si të investohet në Kosovë”.

Para më se 50 sipërmarrësve puliez, prezantuan përfaqësuesit e dy ministrive të Republikës së Kosovës: Agron Maloku nga MPJ dhe Abdullah Isufi nga Ministria e Bujqësisë, si dhe nga ana e Odës Ekonomike, Samir Lleshi. Sipërmarrësve iu drejtua me pak fjalë edhe Ambasadori Prenkaj, i cili ripërsëriti kërkesën dhe nevojën për themelimin e Odës Ekonomike Italo-Kosovare, si një gjenerator dhe mjet i fuqishëm për ndërmjetësim dhe komunikim të investitorëve të mundshëm të të dyja palëve.

Gjatë darkës në qytetin Trani të provincës së BAT-it, u shfrytëzua rasti që me sipërmarrësit dhe përfaqësuesit e administratës së re të kësaj province, të flitet për mundësitë dhe hapat konkret të bashkëpunimit në lëmin e bujqësisë.

Të nesërmen, delegacioni vizitoi Bashkinë e Barit. Një nga takimet më të rëndësishme të nivelit politik ishte ai me Kryetarin e Rajonit të Pulias, Niki Vendola, i cili ofroi premtime konkrete në bashkëpunim midis Pulias dhe Kosovës, duke premtuar se do ta vizitojë Kosovën dhe do t’i siguroi përkrahje të madhe themelimit të Odës Ekonomike Italo-Kosovare.

Në Bari, delegacioni vizitoi Kryetarin e Odës Ekonomike i cili gjithashtu përkrah fuqishëm idenë e OEIK-së dhe inkurajon investitorët italianë ta vizitojnë Kosovën.

Një nga takimet me interes për Ministrinë e Bujqësisë ishte dhe takimi me IAM (Instituto Agronomico Mediterraneo). Në këtë institut, përpos zyrtarëve të lartë, delegacionin e priti dhe Pandeli Pasko (i biri i shkrimtarit të njohur Mitrush Kuteli, ish-Ambasador i Shqipërisë në Romë). Përpos objektivave të IAM-it dhe projektit të tyre që momentalisht po implementohet në Kosovë, delegacioni pati rastin të takohet me dy specializantë nga Kosova, kuadro të ardhshme të Ministrisë së Bujqësisë.

Delegacioni vazhdoi vizitat në drejtim të Brindisit për të ndjekur aktivitetet e ËFP-së.

Në ditën e fundit, delegacioni ndaloi në Molfeta për të përcjell për së afërmi punimet e fabrikës “Globo Eco” që merret me përpunimin e mbeturinave dhe ndarjen e tyre për prodhim të mëtejmë. Përfaqësues të kësaj firme treguan interesim serioz për të filluar sa më shpejtë investimet në Kosovë.

Në qytetin Fogjia, delegacioni u prit nga zv. kryetari i Odës Ekonomike, me ç’rast u morën garanci për përkrahjen e OEIK-së dhe në linjë të politikës së internacionalizimit, u ofrua hapësirë kohore në një të ardhme të afërt, që OEK të bëjë një prezantim para sipërmarrësve të kësaj zone.

Në takim me drejtorin e “Confcooperativa di Foggia” dhe me rreth 20 përfaqësues të shoqatave pjesë të kësaj kooperative, përfaqësuesit e delegacionit shtruan mundësitë konkrete për ardhjen dhe investimet e tyre në Kosovë. Biznesmenët bënë edhe disa pyetje konkrete, të cilat morën përgjigje nga  z. Maloku, z. Isufi dhe z. Lleshi.

Në segmentin e kontakteve me strukturat akademike, delegacioni i gjerë kosovar vizitoi dhe Rektoratin e Universitetit të Fogjias. Përpos fjalëve të përzemërta, Ambasadori Prenkaj konkretisht kërkoi nënshkrimin e traktatit ombrellë midis Universitetit të Fogjias dhe Universitetit të Prishtinës, me ç’rast Rektori Giuliano Volpe pa hezitim ofroi draftin e parë që shumë shpejt do të shqyrtohet nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës.

Duke shfrytëzuar praninë e Dekanit të Fakultetit të Bujqësisë, u kërkua që protokollet e para ekzekutive të fillojnë në këtë lëmi. Profesor Agostino Sevi propozoi që konkretisht të fillohet me shkëmbim studentësh në lëmin e teknologjisë ushqimore.

Krejt në fund, para kthimit në Romë, delegacioni ndaloi në një kooperativë tjetër: “Terra e Gusti”, për të takuar autoritete lokale të Luqeras dhe sipërmarrës të këtij lokaliteti.

Vlen të theksohet, se pjesëtarët e delegacionit janë prononcuar për media rajonale dhe lokale, gjë që e bëri këtë vizitë tre ditore të delegacionit të Kosovës në Pulia, një nga lajmet kryesore në këtë anë të Italisë.

Shih linqet:

http://www.frontieratv.it/articolo.asp?id=224
http://www.aise.it/regioni/rapporti-internazionali/80517-ricevuto-in-puglia-lambasciatore-del-kosovo-prenkaj.html
http://www.rettore.unifg.it/dblog/articolo.asp?articolo=473
http://www.newsetvlucera.it/notizia1843.htm
http://www.go-bari.it/notizie/politica/2081-puglia-e-kosovo-da-oggi-piu-vicine.html
http://www.luceraweb.eu/Giornale.asp?ID=20052
http://www.radiobombo.com/news/47756/trani/investire-in-kosovo-opportunita-per-trani-e-la-bat-oggi-al-patto-territoriale-con-l-ambasciatore-prenkaj