Follow us on:

Ambasadori Prenkaj dhe Këshilltari Hasani - në Komunën e Bolonjës

Delegacioni i Ambasadës në përbërje Ambasadori Albert Prenkaj dhe Këshilltari Avni Hasani patën takime me Nënkryetarin e Komunës së Bolonjës z. Ricchiardi. Fillimisht Ambasadori Prenkaj njoftoi mikpritësin lidhur me zhvillimet në Republikën e Kosovës.

Delegacioni i Ambasadës u njoftua nga bashkëbiseduesi përkitazi me numrin e qytetarëve të Kosovës (59 vetë sipas regjistrave zyrtarë të qytetit) që jetojnë në Bolonja. Si i tillë, komuniteti kosovar njihet si i qetë dhe pa ndonjë thyerje apo konflikt me rendin publik. Aty u shtrua çështja e mundësisë së bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Bolonjës me  komunat e Republikës së Kosovës. Nënkryetari Ricchardi theksoi se është një numër i OJQ-ve të këtij qyteti, të cilat janë të pranishme në Kosovë, dhe të cilat mund të luajnë rolin e tyre në këtë drejtim të komunikimeve në të ardhmen. Ne fund, u premtua se me zgjedhjen e Këshillit Komunal do të fillohet procedura për binjakëzimin e Komunës së Bolonjës me ndonjërën prej komunave të Republikës së Kosovës.

Takimi në Prefekturë

Takimi i radhës u zhvillua në Prefekturë me Prefektin e Bolonjës z. Tranfaglia, i cili fillimisht theksoi faktin se komuniteti kosovar (59 qytetarë) është një komunitet i qetë dhe punëtor, dhe u interesua po ashtu lidhur me perspektivat politike dhe ekonomike të Republikës së Kosovës. Ai shpreson dhe do të punojë në intensifikimin e marrëdhënieve ndërmjet Bolonjës dhe vendit tonë në të gjitha këndvështrimet, si në ato ekonomike, kulturore dhe arsimore. Ai, gjithashtu, përmendi faktin se prezenca italiane në kuadër të KFOR-it shërben po ashtu si urë lidhëse ndërmjet dy vendeve.

Në Odën Ekonomike të Bolonjës

Delegacioni i Ambasadës u takua me znj. Filletti, Sekretare e Përgjithshme e Odës Ekonomike të Bolonjës, ku u diskutua lidhur me mundësitë që ndërmarrësit italianë të këtij regjioni, kryesisht të ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla, të investojnë në Republikën e Kosovës. Mikpritëses iu bënë me dije përparësitë për të bërë investime në Republikën e Kosovës dhe në të njëjtën kohë iu ofrua materiali promovues (IPAK), nga i cili do të mësohen detaje për investime në Kosovë.

Në të tre takimet Ambasadori Prenkaj mikpritësve iu ofroi dhurata dhe simbole të Republikës së Kosovës.