Follow us on:

Delegacioni i Ambasadës sonë vizitoi Universitetin Tor Vergata në Romë

Romë, 7 mars 2011- Delegacioni në përbërje të Ambasadorit Albert Prenkaj dhe Këshilltarit Avni Hasani u takuan me Dekanin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit Torvergata në Romë, me Prorektoren për marrëdhënie me jashtë, si dhe bashkëpunëtorë tjerë të universitetit.

Pas njoftimeve nga ana e mikpritësve përkitazi me veprimtaritë e këtij fakulteti në aspektin e hulumtimeve dhe bashkëpunimin me qendrat e tjera universitare, Ambasadori Prenkaj falënderoi dekanin për mikpritjen dhe bashkëbiseduesin e njoftoi me nivelin e arsimit universitar, të Universitetit Publik të Prishtinës, duke u përqendruar në mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë. Ambasadori Prenkaj kërkoi që të vendosen marrëdhënie bashkëpunuese me nënshkrim të traktatit ndëruniversitar, i cili do të hapte rrugë për shkëmbim të studentëve, përfshirë këtu dhe ata të nivelit pasdiplomik, në studimet master dhe në ato të doktoraturës (PhD). Palët u pajtuan që pas konsultës së dekanit me Këshillin e profesorëve të specifikohet drafti i parë i traktatit në mënyrë që të jetë i gatshëm për nënshkrim nga të dy dekanët, ai i Universitetit Tor Vergata dhe Universitetit të Prishtinës.

Pas bisedës konstruktive, delegacioni i shoqëruar nga dr. Sinibaldi dhe dr. Davidi, vizitoi disa departamente të spitalit universitar, ndër të cilët, laboratorët e Mikrobiologjisë si dhe repartet e Radiologjisë dhe Onkologjisë. Nga kjo vizitë u krijua një përshtypje e shkëlqyeshme për funksionimin e spitalit relativisht të ri (10 vjet), në të cilin do të ofroheshin mundësi të mira që studentët tanë të përfitonin përvoja profesionale, që do t’i përcillnin në institucionet tona në Kosovë si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat.