Follow us on:

Takime të dendura me institucionet e Firences

Delegacioni në përbërje të Ambasadorit Prenkaj dhe Këshilltarit Avni Hasani, të shoqëruar nga aktivisti i njohur Xhafer Berisha dhe dr. Vat Marashi, këdo ditë u takuan me Cristina Giachi, nënkryetaren e Komunës së Firences, dhe njëkohësisht udhëheqëse e Drejtorisë për Universitet, Hulumtime dhe Politikë Rinore. U zhvilluan bisedime në tema të ndryshme, nga të cilat u përmend, bashkëpunimi ekonomik, kulturor dhe arsimor.

Në pikën e fundit Giachi propozoi dërgimin e të rinjve kosovarë për të studiuar në Universitetin e Firences, gjë për të cilën u deklaroi se do të kujdesej personalisht.

Takimi i dytë i ditës u zhvillua në hapësirat e Prefekturës së Firencës me Prefektin e Firences, Paolo Padoin.

Ishte ky një takim i ngrohtë, në të cilin Prefekti Padoin ishte entuziast për ofrimin e bashkëpunimit tonë, duke përshëndetur vullnetin e mirë për bashkëpunim në fusha të ndryshme, si: bashkëpunim ekonomik në ekonomitë e vogla dhe të mesme, në kulturë e veçanërisht në sport, me ç’rast nuk hezitoi të përmendë futbollistin me prejardhje kosovare – Behramin, i sapo arritur në ekipin e Fiorentinës. Prefekti gjithashtu propozoi që bashkëpunimi ynë në fushën e ekonomisë dhe arsimit të mos ndalet vetëm me Firencen, por të zgjerohet edhe me qendrat dhe universitetet tjera të Provincës së Toskanës.

Duke qenë se Prefekti Paolo Padoin ka qenë dhe anëtar i Parlamentit Evropian në periudhën e aderimit të Spanjës dhe Portugalisë, ai kujtoi vështirësitë e plotësimit të kritereve të parashtruara aso kohe, duke vënë në pah edhe për Kosovën rrugën e vështirë të proceseve integruese. Ambasadori Prenkaj pohoi se institucionet e Republikës së Kosovës janë të vetëdijshme për vështirësitë, por ai theksoi se Kosova është e vendosur dhe do të përpiqet maksimalisht që t’i përgjigjet pozitivisht sfidave integruese, sepse gjithnjë sipas tij “vizioni i Kosovës është integrimi Euro-Atlantik”.

Në Odën Ekonomike të Firences

Presidenti i Odës Tregtare të Firences Vasco Galgano, person pragmatik dhe konkret, priti delegacioni tonë duke shtruar pyetje konkrete për resurset e Kosovës, segmentet prioritare investive të vendit, kornizën ligjore, nivelin e pagave dhe obligimeve tatimore, si dhe pyetje të ngjashme. Atij iu dorëzua edhe broshura e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, e cila ofron detaje për mundësitë e investimit në Kosovë.

Me të ofruar këto informacione, duke propozuar bashkëpunimin ndërmjet OEK-së dhe Odës Tregtare të Firences, në kuptimin e protokolleve të bashkëpunimit, Galgani ofroj dy data tentative të vizitave: vizitën e ndërmarrësve italian OEK-së dhe kolegëve biznesmenë kosovarë në muajin qershor dhe vizitën e biznesmenëve kosovarë në panairin e tetorit në Firence me ç’rast do të kenë mundësi të njoftohen me prodhues  dhe biznesmenë vendës.

Vizitë Kuesturës

Në orët e vona të pasdites delegacioni i Ambasadës u takua dhe me Kuestorin[1] e Firences. Ishte kjo një vizitë kortezie e cila kishte për qëllim të falënderojë Kuestorin Francesco Donno për ndihmesën e veçantë që i ofrohet komunitetit kosovar në bashkëpunim me Prefektin. Kuestori u tregua i hapur për bashkëpunim sa herë që paraqitet nevoja, duke qenë në gatishmëri për të komunikuar si me zyrtarë të Ambasadës sonë, ashtu dhe me përfaqësues të komunitetit kosovar në Firence.