Follow us on:

Delegacioni i Ambasadës së Kosovës vizitoi Firencen

Firence, 20 shkurt 2011 - Në sallën e komunës së Firences, aty ku komuniteti i shqiptarëve të Kosovës ka pritur dhe organizuar takime me liderë të Kosovës gjatë periudhës së rezistencës për çlirim, më 20 shkurt 2011 delegacioni në përbërje të Ambasadorit Albert Prenkaj, Këshilltarit Avni Hasani, Konsullit Petrit Prekazi dhe zv. Konsullit Arben Muhameti u takuan me komunitetin kosovar në Firence.

Nën përkujdesjen e aktivistëve të provuar, pjesëmarrja e bashkatdhetarëve ishte e kënaqshme. Kësaj radhe ishte paraparë kontakti me komunitetin romë të Firence. Edhe përkundër konfirmimit të pjesëmarrjes së qytetarëve romë, ata nuk u paraqitën në takim. Në takim morën pjesë mbi 30 bashkatdhetarë.

Megjithatë takimi ishte i gjallë dhe bashkëbisedues.

Nga shërbimi konsullor i Ambasadës u shfrytëzua rasti që të shpërndahet letra dedikuar mërgimtarëve, si dhe u ofruan informacione themelore për shërbimet që i ofrohen qytetarëve.

Më vonë u zhvillua një dialog frytdhënës përmes pyetjeve interesante që i shtruan qytetarët.