Follow us on:

Në Romë u përkujtua figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Në organizim të Ambasadës së Republikës së Republikës së Kosovës dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, në sheshin “Albania” në Romë, pranë përmendores së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, u organizua një manifestim përkujtimor, me ç’rast u mblodhën bashkatdhetarët tanë shqiptarë e arbëresh që jetojnë e veprojnë në Romë e Firencë.

Të pranishmëve iu drejtuan: Ambasadori i Shqipërisë Sh.T. Llesh Kola, Ambasadori i Kosovës, Sh.T. Albert Prenkaj, Don David Gjugja, redaktor i programit në gjuhën shqipe të Radio Vatikanit. I pranishëm ishte edhe Ambasadori i Shqipërisë në Selinë së Shenjtë, Sh.T. Rrok Logu.

Ambasadorit Prenkaj tha se Gjergj Kastrioti Skënderbeu mbetet emblemë e rezistencës, simbol i mbijetesës nëpër shekuj dhe sot është udhërrëfyes jo më vetëm për shqiptarët, por për tërë Evropën që synon ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të mirëfillta, vlerave të Lirisë, të së Drejtës dhe Paqes. 

“Pas nesh mbetet një vit plot sfida me të cilat të gjithë së bashku jemi ballafaquar dhe kemi dalë faqebardhë”, theksoi ambasadori. Sipas tij, Republika e Kosovës gjatë vitit që e lamë pas, kaloi dy sfida të rëndësishme: atë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, që nxori mendimin afirmativ të shtetit tonë të ri, që nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe mbetet rast i veçantë sui generis.

Kosova është në marrëdhënie të shkëlqyeshme me të gjitha shtetet fqinje dhe ne afirmojmë paqen e qëndrueshme në rajon si shtet i pavarur dhe sovran, mu në zemër të Evropës Juglindore, nënvizoi Ambasadorit Prenkaj.

Në anën tjetër, Ambasadori i Shqipërisë pranë shtetit italian, Sh.T. Llesh Kola duke i përshëndetur të pranishmit, foli për figurën dhe rolin e Skënderbeut si personalitet, i cili i lidhi shqiptarët me perëndimin, vizion ky i cili po realizohet edhe këto ditë.

Duke e përmbledhur idenë e një diplomati të urtë, ideatorit dhe luftëtarit për oksidentalizmin shqiptar, Don David Gjugja përkujtoj se në këtë ditë është edhe përvjetori i vdekjes së intelektualit të madh shqiptar, Ernest Koloqi, varri i të cilit gjendet në Romë.

Pas fjalëve përshëndetëse u shpërndanë materiale afirmuese për Kosovën.