Follow us on:

U mbajt një takim me bashkatdhetarët tanë në Romë

Romë, 22 janar 2011 - Diplomatët e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë këto ditë u takuan me komunitetin e qytetarëve të Kosovës në Romë. Në lagjen e quajtur Tollupara, Komuna Fonte Nuova, u mblodhën rreth 60 bashkatdhetarë nga Kosova si dhe shqiptarë të tjerë nga Maqedonia.

Të pranishmëve iu drejtua Ambasadori  Albert Prenkaj, i cili ofroi informacione për aktivitetet e Ambasadës,  si dhe planin për të kontaktuar në mënyrë permanente me qytetarët e Kosovës në Itali. Ndërmjet të tjerash, Ambasadori Prenkaj inkurajoj të rinjtë që të arsimohen sa më shumë, në mënyrë që të ngrihet kualiteti i jetës dhe të jenë kompatibil me momentin e zhvillimit ekonomik dhe social të Italisë.

Në vazhdim informacione në lidhje me shërbimet konsullore ofruan, Konsulli Petrit Prekazi dhe zv. Konsulli Arben Muhameti.

Bashkatdhetarëve iu ofrua mundësia për të bërë pyetje dhe për t’i shfaqur shqetësimet e tyre në lidhje me përditshmërinë e tyre në Romë. Në këtë mënyrë u zhvillua një bashkëbisedim i frytshëm, gjë që lë të shpresohet se takime të ngjashme do të organizohen edhe në të ardhmen.

Nga ky takim u mor vesh se në atë zonë jetojnë rreth 150-160 kosovarë, ndërsa në tërë Bashkinë e Romës konsiderohet se jetojnë rreth 1000 kosovarë.