Follow us on:

Ambasadorja Haxhitasim u dorëzoi Letrat Kredenciale Kapitenëve Regjentë të Republikës së San Marinos

San Marino, 20 nëntor 2020 – Shkëlqesia e Saj, Ambasadorja Lendita Haxhitasim u dorëzoi Letrat Kredenciale Kapitenëve Regjentë të Republikës së San Marinos, Shkëlqesisë së Tyre, Zotërinjëve Alessandro Cardelli dhe Mirko Dolcini, të shoqëruar nga Ministri i Punëve të Jashtme, Sh.T.Z. Luca Beccari, duke u akredituar si Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Kosovës (jo-rezidente) në Republikën e San Marinos. Ceremonia zyrtare e Shtetit, e cila u zhvillua në “Palazzo Pubblico” me pritjen solemne nga Garda e Nderit e Këshillit të Madh dhe të Përgjithshëm, u çel me urimet e mirëseardhjes të kryediplomatit të Sekretarisë së Shtetit për Punët e Jashtme, z. Beccari, i cili rikonfirmoi vlerat dhe konsideratën e lartë për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes Republikës së San Marinos dhe Republikës së Kosovës.

Ambasadorja Haxhitasim, në fjalën e saj cerimoniale, falenderoi Kapitenët Regjentë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme për konsideratën e lartë që San Marino ka dëshmuar kundrejt Kosovës që prej shpalljes së Pavarësisë e deri më sot.

Lidhur me marrëdhëniet dypalëshe, Ambasadorja Haxhitasim nënvizoi vlerat e larta demokratike dhe të lirisë, të cilat janë një e përbashkët mes dy popujve tanë, dhe rikonfirmoj vullnetin dhe angazhimin e plotë për të thelluar e pasuruar më tej marrëdhëniet miqësore mes dy republikave tona në të gjitha fushat me interes të ndërsellë, duke inkurajuar edhe më shumë investimet dhe shkëmbimet ekonomike, tregtare, kulturore e shoqërore mes dy vendeve tona.

Kapitenët Regjentë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së San Marinos i uruan suksese Ambasadores Haxhitasim, dhe rikonfirmuan mbeshtetjen e tyre të plotë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe me Republikën e Kosovës.