Follow us on:

Në Padova të Italisë, u zhvillua Forumi i Biznesit për Kosovën

Padova, 26 qershor 2018 - Në Padova u mbajt Forumi i Biznesit për Kosovën i cili u organizua nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë në bashkëpunim me Agjencinë Speciale të Odës Ekonomike të Padovas - Promex dhe Dhomën e Tregtisë Itali – Kosovë.

Pjesëmarrës në këtë forum ishin përfaqësues të Odës Ekonomike të Padovas – Promex, Dhomës së Tregtisë Itali – Kosovë dhe biznesmenë nga Padova, të cilët u informuan për mundësinë e sjelljes së investimeve të tyre në Kosovë. Në forum u prezantuan sektori agroushqimor, i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, i ndërtimtarisë dhe infrastrukturës dhe përpunimit të drurit, për të cilët bizneset nga Padova kishin shprehur interesimin të bashkëpunojnë.


Forumi u hap nga Drejtori i Promex z. Franco Conzato, i cili në fjalën e tij përshëndetëse tregoi se nga bizneset italiane ka interes të fortë për të bashkëpunuar me të gjitha vendet e rajonit dhe se në veçanti është parë mundësia për të bashkëpunuar me Kosovën, duke theksuar se mënyra e ndërkombëtarizimit të bizneseve italiane tashmë ka ndryshuar.


Ambasadorja e Kosovës në Itali znj. Alma Lama, në fjalën e saj hyrëse falenderoi të pranishmit për pjesëmarrje dhe për organizimin e forumit, foli për rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike me Italinë dhe informoi të pranishmit mbi situatën ekonomike në Kosovë, duke thënë se Kosova ka potencial të madh për të bërë biznes dhe është një vend i sigurt, ku siguria ekonomike garantohet.


Në Forum mori pjesë Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Republikës të Kosovës, z. Bajram Hasani, i cili në fjalën e tij përshëndetëse falenderoi oganizatorët e Forumit dhe informoi të pranishmit për ambiciet e mëdha të Kosovës për zhvillim ekonomik, për politikën e ndërtuar fiskale në përkrahje të sektorit privat dhe për punën e bërë në Kosovë në eliminimin e vështirësive administrative. Ministri Hasani ftoi bizneset italiane t’i përdorin mundësitë që i ofron Kosova për bizneset e huaja dhe vendore dhe të investojnë në Kosovë.


Ndër panelistë të tjerë në forum ishin Sekretar i Përgjithshëm, i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Z. Kapllan Halimi, ud Drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, z. Nol Buzhala dhe Zyrtarja e Lartë për Infrastrukturën Elektronike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik Znj. Fjolla Restelica e cila prezantoi mundësitë për investime në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.