Republika e Kosovës vendos marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Bregut të Fildishtë
Romë, 24 gusht 2016 - Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali Bukurije Gjonbalaj dhe ambasadorja e Republikës së Bregut të Fildishtë në Itali Janine Tagliante Saracino, kanë nënshkruar deklaratën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.Deklarata e përbashkët shpreh dëshirën dhe vullnetin e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Bregut të Fildishtë për të promovuar lidhjet e miqësisë ndërmjet dy vendeve, duke zgjeruar horizontet e bashkëpunimit, dhe duke mbështetur kauzën e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Më tej, deklarata riafirmon angazhimin e të dy qeverive për parimet e Kombeve të Bashkuara dhe të Drejtës Ndërkombëtare, duke përfshirë respektimin e përbashkët të sovranitetit kombëtar, integritetit territorial dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme të shtetit tjetër.
Ceremonia e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike u zhvillua në Ambasadën e Kosovës në Romë.
Republika e Bregu të Fildishtë e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran më 21 shtator 2011.