Follow us on:
Lendita Haxhitasimi Ambasadore e Republikës së Kosovës në Romë
Sh.E.Znj. Lendita Haxhitasim, u diplomua në Shkenca Politike në Universitetin e Kalabrisë në 2006, ku më pas përfundoi edhe Masterin e Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Në vitin 2009 hyri në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku u përzgjodh në grupin e ngushtë të diplomatëve të karrierës, të cilët u angazhuan për themelimin dhe konsolidimin e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës. Në atë rast, ajo u emërua në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, ku mbuloi çështjet kryesore lidhur me institucionet evropiane në Bruksel.

Në vitin 2014 asaj iu besua roli delikat i Zyrtarit Ndërlidhës me Kombet e Bashkuara në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York. Më pas, në nëntor 2015, ajo u emërua në Ambasadën e Kosovës në Uashington D.C., ku zhvilloi aktivitetet e saj kryesore në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Shtetit dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2018 ajo u kthye në Prishtinë dhe u caktua në Departamentin për Evropën dhe BE-në, ku për një periudhë u ngarkua edhe si Drejtore në Detyrë e këtij Departamenti.

Pasi përfundoi studimet në Itali, asaj iu dorëzua bursa “Schumann” për internship në DG EXPO të Parlamentit Evropian në Bruksel, ku punoi me Sekretariatin e Delegacionit për marrëdhëniet me vendet e Evropës Juglindore. Para se t’i bashkohej Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, përvojat e saj ishin ato të Këshilltares së Ministrit të Brendshëm të Kosovës, punësuar nga UNDP për të mbështetur zhvillimin e sektorëve të sigurisë në vend. Më herët ajo ka bashkëpunuar edhe me OJQ të ndryshme si Fondacioni i Shoqërisë Civile të Kosovës. Paraprakisht, menjëherë pas luftës së vitit 1999, ajo punoi edhe për KFOR-in, misionin ushtarak të NATO-s në Kosovë, e angazhuar në sektorin e komunikimit.

Prej datës 5 dhjetor 2019 ajo është e akredituar si Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Kosovës në Republikën e Italisë.