Follow us on:

Ministri Shala vizitë zyrtare në Hungari

Budapest, 19 tetor 2016 - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, po qëndron për një vizitë zyrtare në Hungari, ku ka takuar, László Szabó, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë. Ata kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy shteteve, me projekte konkrete, veçmas me projekte që kanë të bëjnë me fushat e sportit dhe të kulturës.

Ministri Shala, falënderoi Hungarinë për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës gjatë procesit të pavarësimit, dhe tani në procesin e integrimeve evropiane, duke shtuar se kjo mbështetje ka domethënie të veçantë për Kosovën, dhe tha se Institucionet e Kosovës e çmojnë vullnetin e Hungarisë për të bashkëpunuar konkretisht me Kosovën.

Në anën tjetër, zëvendësministër Szabó, e falënderoi ministrin Shala për vizitën në Hungari, dhe u shpreh se shteti i tij do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën edhe në të ardhmen, në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai po ashtu u shpreh se Hungaria është e interesuar që t’i ndajë përvojat e saja me Kosovën në fusha të ndryshme dhe raportet e mira politike t’i zhvillojë edhe me projekte konkrete.

Shala dhe Szabó u shprehën se intensifikimi i këtyre raporteve me marrëveshje dhe bashkëpunim konkret, është në interes të dy palëve.

Në këtë takim, ministri Shala dhe zëvendësministri Szabó, biseduan edhe për investimet në infrastrukturën sportive në Kosovë, përvojat hungareze në këtë drejtim, dhe interesimin e Qeverisë së Hungarisë për të ndihmuar Kosovën në këtë fushë.

Me një theks të veçantë u bisedua për projektin themelor të MKRS-së, ndërtimin e një qendre nacionale të sportit, në të cilën, Stadiumi Nacional është projekt themelor. Po ashtu, u bisedua për mundësitë që ka Hungaria, nëpërmjet formave të ndryshme të ndihmojë Institucionet e Kosovës për të realizuar këtë projekt. 

Në vazhdën e vizitës zyrtare në Hungari, ministri Shala, ka takuar Tünde Szabó, ministre e Shtetit për Çështje të Sporti të Hungarisë.

Ndërmjet ministrit Shala dhe ministres Szabó u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit të Kosovës dhe Hungarinë, duke u ndalur sidomos te përvoja hungareze në infrastrukturën sportive dhe në edukim, dhe u tha se bashkëpunimi në fushën e sportit ndikon në secilën fushë, ndaj është tejet i rëndësishëm.

Shala dhe Tünde Szabó biseduan edhe për punët që po bën Kosova në përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend, sidomos tani meqë sporti i Kosovës është bërë pjesë e sportit ndërkombëtar dhe kërkohet që të avancohen standardet, në përkim me kriteret ndërkombëtare.

Ministrja e Shtetit për Çështje të Sporti të Hungarisë, Tünde Szabó, e njoftoi ministrin Shala me zhvillimet në sportin në Hungari, me përkrahjen që i jep qeveria e këtij vendi sportit dhe me mundësitë që janë për të bashkëpunuar ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.

Ministri Shala e falënderoi ministren Tünde Szabó për përkrahjen, dhe u shpreh se në këto momente, Kosovës i duhet ndihmë prej vendeve mike, siç është Hungaria.

Në këtë takim, ministri Shala e shtroi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet dy federatave të futbollit, po ashtu edhe çështjen e edukimit të trajnerëve, sportistëve dhe referëve, për të cilën Tünde Szabó u shpreh se janë të gatshëm të ndihmojnë sportin e Kosovës, në edukim, me ekspertë, si dhe me pjesëmarrje të sportit të Kosovës në gara të ndryshme që zhvillohen në Hungari.

Gjithashtu në kuadër të vizitës në Hungari, ministri Shala, ka zhvilluar një takim pune me Gabor Deregan, udhëheqës i Divizionit të Sportit dhe Istvan Szalai, drejtor për Marrëdhënie Qeveritare dhe Projekte Strategjike në Odën Ekonomike të Hungarisë, me të cilët bisedoi për projektin e Stadiumit Nacional të Kosovës.

Ministri Shala gjithashtu ka vizituar stadiumin ‘Groupama Arena’ si dhe akademinë e sportit ‘Puskás Akadémia Pancho Arena’  me të cilët ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit veçanërisht për trajnimin e grupmoshave të reja të sportistëve dhe të trajnerëve.