Follow us on:

Presidenti Thaçi dhe Ministri Hoxhaj marrin pjesë në Samitin e SEECP-së dhe në Forumin "Dubrovnik 2017"

Dubrovnik 30 qershor 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, të shoqëruar nga I ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kroaci, Uliks Emra, kanë marrë pjesë në Samitin e SEECP-së, i njohur si Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, si dhe në Forumin "Dubrovnik 2017".

Në Konferencën Ndërkombëtare, "Dubrovnik Forum, është folur për bashkëpunimin adriatiko-mesdhetar dhe sigurinë e vendeve të Evropës Juglindore. Para presidentëve të rajonit dhe pjesëmarrësve tjerë në këtë samit, presidenti Thaçi ka falënderuar presidenten kroate Grabar-Kitaroviq dhe Kroacinë për një kryesim të suksesshëm të SEECP-së.

Presidenti Thaçi ka theksuar se bashkëpunimi është çelësi për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, por edhe për të ardhmen e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.“Përkundër faktit se ende kemi sfida jo të lehta në rajonin tonë, unë mendoj se zhvillimet e fundit na kanë dhënë arsye për optimizëm se gjerat përsëri mund të shkojnë në drejtimin e duhur”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se është e vërtetë se muajve të fundit shumica e vendeve të rajonit kaluan nëpër periudha të testeve të domosdoshme demokratike, që në disa raste u shoqëruan edhe me paqartësi politike, por këto zhvillime politike konfirmojnë gjithashtu se qytetarët e rajonit parapëlqejnë opsionet politike që nxisin dialogun, bashkëpunimin dhe integrimin“Mesazhi është i qartë – ne e duam BE-në, për shkak të vlerave që ajo përfaqëson dhe mundësive ekonomike që ofron. Ky është mesazhi më i mirë për rajonin, nga rajoni, mirëpo edhe për BE-në dhe NATO-n”, ka theksuar presidenti.

Po ashtu, presidenti Thaçi ka ritheksuar se Kosova, si shtet sovran, e ka edhe detyrim kushtetues ta formojë ushtrinë, e cila do të bëhet në partneritet me NATO-n. Duke folur për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, presidenti ka thënë se është zotim i Kosovës ta vazhdojë dialogun drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Në kuadër të këtyre ngjarjeve, presidenti Thaçi ka zhvilluar edhe takime bilaterale me zëvendësndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit, Hoyt Yee, si dhe me kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borisovin.

Ndërsa Ministri Hoxhaj në diskutimet e panelit të parë të diskutimeve të këtij forumi ka folur për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, si dhe për sfidat e sigurisë që ekzistojnë aktualisht. Hoxhaj ka theksuar se ka ende probleme ndërshtetërore të pazgjidhura mes vendeve të caktuara të Evropës Juglindore, duke përmendur këtu edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, çështjen e mospajtimeve për emrin e Maqedonisë, me Greqinë etj. Ministri Hoxhaj në fjalën e tij ka thënë se ekzistojnë disa rreziqe që mund të ndikojnë në stabilitetin e Evropës Juglindore, siç janë rritja e nacionalizmit, institucionet e brishta, varfëria, dhe në anën tjetër lufta informative dhe lajmet e rrejshme janë po ashtu cenues të sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Këto rreziqe, ka thënë Hoxhaj, mund të luftohen me institucione të forta dhe me ndihmën e shoqërisë civile dhe medias.

Në anën tjetër, në margjina të samitit, Hoxhaj ka zhvilluar agjendë të ngjeshur takimesh me homologët e shteteve të rajonit. Ai ka takuar delegacionet nga Kroacia, Bullgaria, Greqia, Shqipëria, Maqedonia, Turqia, Rumania etj.