Follow us on:

«Teletransportim» Prishtinë-Paris!

Në ditën e 10 vjetorit të pavarësisë, qytetarët francezë e kosovarë u gjendën pranë njëri-tjetrit, falë një përvoje interaktive origjinale nga pikëpamja teknologjike dhe sociale.

Paris, 17 shkurt

 

Për afro 6 orë kalimtarë të rastit dhe grupe të organizuara në Paris «vizituan» virtualisht Prishtinën duke marrë pjesë në gëzimin dhe festën e 10 vjetorit të pavarësisë së vendit. Një Kosovë në miniaturë u mbart në kryeqytetin francez, falë imazheve, materialeve informuese, si dhe produkteve vendore të furnizuara me bujari nga kompania kosovare «Kamila».



Kureshtje dhe emocione nga këto takime, inagurimi i të cilave nisi me një përshëndetje të ekipit të Ambasadës së Kosovës në Paris me pjesëmarrjen speciale të kryetarit të Bashkisë IV z.Ariel Weil, si dhe ambasadorëve Qëndrim Gashi dhe Didier Chabert e ekipit të Ambasadës franceze në Prishtinë.



Ambasada e Republikës së Kosovës në Francë dhe Ambasada e Francës në Kosovë, e organizuan këtë ngjarje në kuadër të vitit të përbashkët mes dyambasadave, me qëllimin për t’i afruar banorët e dy kryeqyteteve në një ditë kaq të shënuar për kosovarët, në shenjë mirënjohjeje po ashtu për Francën, vend i cili ka kontribuar substancialisht në çlirimin dhe rindërtimin e Kosovës dhe i cili e njohu shtetin e ri të nesërmen e shpalljes së pavarësisë.


Aktiviteti u realizua në partneritet me asosiacionin «4Couleurs» (4 ngjyrat) të themeluar nga sipërmarrësi kosovaro-francez Kushtrim Povataj.